Aktualitet

Shuhet mbretëresha e valles, Lili Cingu! Begaj, Rama & Nikolla mesazhe ngushëllimi

"Lili", ashtu si e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret e para shqiptare.

k.m.
Shuhet mbretëresha e valles, Lili Cingu! Begaj, Rama & Nikolla mesazhe
Liljana Cingu

TIRANË- Shuhet Liljana Cingu, valltare e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Valltarja e dekoruar me urdhërin "Mjeshtër i Madh" dhe “Nder i Kombit” është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare, mbrëmjen e sotme. "Lili", ashtu si e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret e para shqiptare, por edhe pse u shkëput nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore prej vitit 1997, ajo nuk hoqi dorë kurrë nga skena. 

Shuhet mbretëresha e valles, Lili Cingu! Begaj, Rama & Nikolla mesazhe
Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu

"Do të kërcej, derisa këmbët të më lënë,"- është shprehur ajo në të shkuarën gjatë intervistave, edhe pas 45 viteve në skenë.

Lajmi është konfirmuar nga mjeshtri i valleve në Ansamblin e TKOB dhe njëherazi miku i vallëtares, Genc Kastrati. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kastrati u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Cingut, teksa shkruan se artistja ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist.

“Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshteren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit. Ndërsa përballemi me humbjen e saj, le të kujtojmë dhe të çmojmë kujtimet dhe mësimet që na la “Mbretëresha e valles Shqiptare” Lili Cingu. Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj. Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj,”- shkruan Kastrati.

Pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të Cingut kanë ardhur reagimet dhe nga krerët më të lartë të shtetit. Kryeministri Edi Rama shkruan se nga sot, Lili Cingu la bosh fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. 

"Lamtumirë. Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe", shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në meszhin e saj shkruan se Lili Cingu i dha hijëshi valleve shqiptare. Ndërsa shpreh dhe ngushëllimet për familjarët. 

"Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd", shprehet Nikolla.

Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj shprehet se Cingu do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe.

‘Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe.’- shkruan Begaj.

Gjatë rrëfimeve ndër vite, Lili ka treguar se nëna dhe babai asnjëherë nuk e lavdëronin, madje, ata e konsideronin si diçka normale faktin që e bija kërcen bukur. Madje, edhe kur merrte çmime, thjesht e puthnin në ballë.

Shuhet mbretëresha e valles, Lili Cingu! Begaj, Rama & Nikolla mesazhe
Lili Cingu

“Unë kam pas shtysën prindërve që jam kjo që jam sot, sepse babi dhe mami kanë qenë shumë artdashës. Babi duke qene se ishte nga Gjakova kosovar, mami shkodrane, dy treva që me të vërtetë e kanë dashur artin. Unë kam pas shtysë shumë nga babi dhe nga mami që unë të vazhdoja këtë rrugë. Ata kanë qene shtysa më e madhe dhe kur i thonin babit dhe mamit atëhere: ‘Sa e mirë të është bërë vajza, sa bukur kërcen’. ‘Si të gjithë të tjerat’, asnjëherë nuk lavdëronin."

Dy janë vallet e jetës, ajo i konsideronte atë të “Çobanit” dhe “Festë të madhe ka Shqipëria”. Por një moment të veçantë në jetën e saj ka pasur udhëtimin e Ansamblin në Francë, më 1970, ku u nderua me çmimin “Gjerdani te Arte”./ZËRI

Poll

MOS HUMB