
TIRANË- Shtyhet sërish seanca në Gjykatën e Posaçme për kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi. Kërkesa për shtyrjen e radhës është bërë nga avokatët për t'u njohur me informacionin e depozituar përgjatë 2 muajve dhe ecurinë e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Po ashtu, gjatë seancës së sotme, kërkuan edhe njëherë përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka.
Pas seancës, në daljen për media, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se mbrojtja ka dorëzuar po ashtu një akt ekspertimi kontabël, që sipas tij tregon se nuk ka gjetje as për pastrim parash dhe as për korrupsion, ashtu siç pretendon Prokuroria. Edhe njëherë theksoi se e gjithë ajo që mbrojtja kërkon të provojë është se procedura e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit "Partizani" ka qenë e rregullt.
PJESË NGA PRONCIMI PËR MEDIAT I GJOKUTAJT:
Gjokutaj: Më datë 15 e lamë për t'u shqyrtuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Kemi dorëzuar akt ekspertime kontabël që shpjegon historinë e zotit Jamarbër Malltezi. Janë të shpjeguara në kohë dhe të gjitha lëvizjet monetare. I jep përgjigje dhe bashkëpunimit me zotin Berisha siç pretendon SPAK. Kjo është një çështje sa absurde, por ndonjëherë do më shumë kohë.
Çfarë kërkoni të provoni me këtë akt ekspertim?
Gjokutaj: Duam të provojmë që procedura ka qenë në rregull, nuk ka pastrim dhe as element korruptiv. Akti shpjegon në detaj se nuk ka asnjë element që të krijojë dyshimin e arsyeshëm. Shtyrja e sotme ishte rrjedhojë logjike e kërkesës sonë për përjashtimin. Problemi është që ne bëmë një kërkesë për përjashtim, kështu që kjo ishte e gjitha.
Kështu, pas zhvillimeve të sotme, seanca ku do të kërkohet edhe njëherë revokimi i masës së sigurisë për të dy palët, do të mbahet më datë 12 mars në orën 15:00. Ndërsa kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Gjoka, më datë 15 mars.
NJOFTIMI I GJKKO
Sot në datë 08.03.2024, ditë e Premte, ora 09.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, u zhvillua seanca gjyqësore për marrjen në shqyrtim të kërkesës penale regjistruar pranë kësaj gjykate, me nr. 125 regj themeltar, datë 23.02.2024, që i përket:
KËRKUES: Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, dtl.15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr.personal E40701031R, përfaqësuar me prokurë të posaçme nga av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi.
OBJEKTI: Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
BAZA LIGJORE: Nenet 228, 229, 260 të Kodit të Procedurës Penale.
KËRKUES: Jamarbër Malltezi, i biri i Luan-it dhe Merxhane-s, i datëlindjes 09.11.1972, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, në adresën: “Rr. Mustafa Matohiti, Pall.7, Ap.8”, përfaqësuar nga av.Antoneta Sevdari dhe av.Klodjan Skënderaj.
OBJEKTI: Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim Jamarbër Malltezi.
BAZA LIGJORE: Nenet 228, 229, 260 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishin paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha dhe kërkuesi/i hetuari Jamarbër Malltezi. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar sërisht të firmosë fletëthirrjen, por duke shprehur verbalisht që nuk do të paraqitet personalisht në gjykatë por do të përfaqësohet nga avokatët e tij, dokumentuar nëpërmjet raportit të shërbimit të policisë gjyqësore. Po kështu, edhe për kërkuesin/të hetuarin Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi”, rezultoi e dokumentuar dijenia e tij për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore, ku në fletëthirrjen respektive të firmosur nga ana e tij ka shprehur vullnetin për të mos marrë pjesë personalisht në gjykim, duke u përfaqësuar nga mbrojtësit.
Për sa më sipër, gjykata e konsideroi njoftimin si të kryer, duke qenë se rezultoi i shprehur edhe vullneti i kërkuesëve/të hetuarve lidhur me të drejtën për të mos marrë pjesë në gjykim (ndodhur në kushtet e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ) dhe vijoi gjykimin në mungesë të kërkuesëve/personave nën hetim Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, duke u mbrojtur interesat e këtyre të fundit nga ana e avokatëve respektivë.
Nga ana e mbrojtësve të kërkuesit/personit nën hetim Sali Berisha u kërkua përjashtimi i trupit gjykues monokratik, gjyqtares Irena Gjoka (kompetente për shqyrtimin e së cilës është gjyqtari i gatshëm).
Gjatë zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, palët parashtruan kërkesat objekt gjykimi: Mbrojtësit parashtruan kërkesat për revokimin e masës së sigurimit dhe prokuroria depozitoi informacionin me shkrim dhe provat në kuadër të nenit 246/6 të K.Pr.Penale. Mbrojtësit kërkuan kohë për tu njohur me informacionin me shkrim si dhe provat e paraqitura nga ana e prokurorisë.
Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 12.03.2024, ditë e martë, ora 15.00, për t’i dhënë kohë mbrojtësve për tu njohur me informacionin me shkrim si dhe provat e paraqitura nga ana e prokurorisë, si dhe njëherazi kjo kohë do të shërbejë edhe për shqyrtimin e kërkesës për përjashtimin e trupit gjykues monokratik.
Tiranë, më datë 08.03.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u lirua. Kjo pasi edhe ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi./ZËRI