
TIRANË-Seanca gjyqësore ndaj ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla është shtyrë. Mësohet se shkak është bërë mungesa e Dali Gazidedes, një prej të akuzuarëve për abuzim me një tender. Policia nuk arriti ta sjellë Gazideden në seancë, ndonëse ai është në arrest shtëpi. Seanca e radhës u caktua në 21 nëntor.
Në seancën e sotme pritej që gjykata të shprehej nëse do të pranonte apo jo gjykimin e shkurtuar që kanë kërkuar 10 prej 12 të pandehurve.
Ndaj Lefter Allës, rëndon akuza “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” rëndon ndaj Enkeleda Lleshit, Rubin Kolës, Arsen Gjokës, Leonard Daçit, Kujtim Zogut dhe Denis Xholit.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës dhe personat e tjerë, kryesisht ish-punonjës në bashki, kanë rënë në pranga për abuzim me tendera. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Prangosjet u bënë me urdhër të SPAK-ut, ndërsa për të mbledhur provat në terren ishin edhe oficerë të BKH-së. Objekt kontrolli nga SPAK ka qenë dhe banesa e vëllait të Lefter Allës, por edhe banesat e personave të tjerë të arrestuar apo që kanë lidhje me ta. Sipas SPAK, bëhej fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës./Zëri.ai