Aktualitet

Shqiptari u vra me plumb në kokë, motra: Ishte njeri korrekt, mbaroi universitetin

Motra e Klauddio Myrtaj, që u vra në Itali, tha për mediat italiane se i vëllai ishte një person i sjellshëm dhe se janë të tronditur nga ngjarja.

D.XH
Shqiptari u vra me plumb në kokë, motra: Ishte njeri korrekt, mbaroi
Klaudio Myrtaj

CUENO – Një ngjarje e rëndë ndodhi gjatë pasdites së 4 nëëntorit në një punishte zdrukthtarie në zonën e Cuenos, ku 34-vjeçari shqiptar Klaudio Myrtaj u gjet i vrarë me plumb në kokë.

Për këtë ngjarje, ka folur për mediat italiane dhe motra e viktimës, Desara Myrtaj. Ajo tha se është e shokuar nga ngjarja, duke shtuar se i vëllai nuk kishte shprehur shqetësime kohët e fundit.

“Jam e shokuar. Klaudio ka qenë gjithmonë vëllai më i mirë në botë, gjithmonë gjendej pranë meje. Ai ishte një djalë i mbarë, ai mbaroi universitetin dhe kishte një master në marrëdhënie me publikun. Klaudio punoi në një call center në Tiranë, por gjashtë vite më parë babai ynë ndërroi jetë, kështu që u kthye në Vlorë për të qenë pranë nënës së tij. Por na duheshin para.

Ai kontaktoi kushërinjtë e tij në Caraglio, me të cilët jemi shumë të afërt. Fillimisht shkoi në Spanjë për pushime, më pas iu bashkua atyre në Itali. E prisnim për natën e ndërrimit të viteve. Por na vjen ky lajm i tmerrshëm. Më lajmëruan kushërinjtë e mi. Flisnim çdo ditë me Klaudion, ai nuk tha kurrë ndonjë shqetësim, madje as kushërinjve të tij nuk u kishte thënë se mund të kishte probleme. Ishte njeri i sjellshëm dhe korrekt dhe nuk mund të lëndonte askënd.

Nuk gjej logjikë që ngjarja të jetë krim pasioni. Ne kemi besim te drejtësia italiane, se do ta zbardhë këtë ngjarje. Mamaja është e shkatërruar. Për të, më e rëndësishmja tani është të kthejë trupin e Klaudios në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur, për t'i dhënë lamtumirën”, tha motra e 34-vjeçarit.

Klaudio Myrtaj po punonte si çdo ditë në zdrukthtari, kur u vra papritur me plumb në kokë, nga persona ende të paidentifikuar. Ai kishte dy vite që kishte mbërritur në Itali./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB