Aktualitet

Halla e 3-vjeçares së dhunuar në kopsht: Drejtoresha na tha 'e zgjidhim ndryshe këtë punë'

Halla e vogëlushes deklaroi se këmba e 3-vjeçares është vënë dy herë në allçi. Ajo theksoi se prindërit e vajzës janë të tronditur nga ngjarja.

D.XH
Halla e 3-vjeçares së dhunuar në kopsht: Drejtoresha na tha
Dhuna ndaj 3-vjeçares

TIRANË- Halla e vajzës 3-vjeçare, e cila u dhunua në kopshtin “Stinët” në Tiranë, ka treguar detaje të rënda nga rasti i dhunës ndaj vogëlushes.

Halla tha në emisionin “Opinion” se e ka gjetur mbesën duke qarë me dënesë dhe ishte fshehur poshtë një komedine.

“Im vëlla më ka thirrur mua. Në momentin që kanë shkuar te Trauma më ka treguar të gjithë historinë. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 15:20 të datës 1 Nëntor. Ata janë informuar të dy nga edukatore Entela Danushi sepse unë e shikoj që e gjithë vëmendja është përqendruar te zonja, në qoftë se mund ta quaj zonjë, Majlinda Dehima. Drejtoresha e kopshtit është zonja Entela Danushi. Zonja Danushi i ka marrë në telefon të dy prindërit duke i njoftuar që vajza rënkon, qan, nuk është e qetë, ju lutem të vini ta merrni.

Janë nisur nga puna për në kopsht. E kanë gjetur vajzën poshtë një komodine duke qarë me dënesë, ishte zverdhur, këmba ishte fryrë dhe në të njëjtën gjendje e ka gjetur edhe Entela Danushin dhe zonjën Majlinda. Zonja Majlinda e cila është edukatorja ka qenë duke thënë “obobo ç’i bëra vetes” dhe ka qenë duke qarë. Si asnjëherë më përpara zonja drejtoreshë i është ofruar vëllait që ta marrin fëmijën dhe ta çojnë te Pediatria sepse mendonte se e kishte pickuar një insekt”, tha halla.

Halla më tej ka shpjeguar se këmba e vogëlushes, që ia ka thyer edukatorja Majlinda Dehima i është vendosur për herë të dytë në allçi për të shmangur ndërhyrjen kirurgjikale. Ajo shton se gjendja e prindërve të 3-vjeçares është e rënduar, për shkak të ngjarjes së rëndë.

“Vajza është te një spital privat. Është marrë masa më e thjeshtë e mundshme sepse ne si familjarë duam që ta shmangim ndërhyrjen kirurgjikale. Është vënë në allçi për herë të dytë dhe e vetmja gjë që na ngelet është që të lutemi që këmba t’i shkojë në vend dhe mos të ketë nevojë për gjëra të tjera. Prindërit e vajzës kanë 8 ditë që janë në gjendje shoku”, deklaroi familjarja.

Sipas dëshmisë së hallës, drejtoresha e kopshtit “Stinët”, Entela Danushi ka shkuar në spital së bashku me bashkëshortin për të folur me babain e 3-vjeçares. Ajo u shpreh se drejtoresha i ka thënë babait të vogëlushes se është e qetë dhe se mund ta zgjidhin ndryshe këtë punë, duke nënkuptuar pagesën.

“Zonja ka ardhur në spital dhe në një bisedë i ka thënë mund të bësh çfarë të duash, mund të më denoncosh, mund të marrësh masat që mendon ti, unë vëlla i dashur jam shumë e qetë, i ka thënë vëllait. Dhe në ditën e parë duke ecur nëpër korridoret e Traumës, zonja e ka marrë vëllain tim, të lutem i ka thënë, më jep vetëm një sekondë vëmendje, ne bashkë mund ta rregullojmë ndryshe këtë muhabet, vetëm mos ta bëjmë të madhe sepse nuk kemi asnjë faj kështu që hajde, flasim, rregullojmë bashkë”, u shpreh halla.

Opinioni publik u trondit, pas publikimit në emisionin "Stop" të një rasti dhune ndaj një 3-vjeçareje në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë.

Edukatorja Majlinda Dehima dyshohet se ka dhunuar vogëlushen, duke i thyer këmbën. Dehima është vendosur nën hetim për ngjarjen./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB