BRITANI E MADHE- Një shtetas shqiptar 37-vjeçar është goditur me thikë për vdekje nga bashkëatdhetari i tij 21-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në Londër ditën e dielë 4 shkurt, ku Kozma Papa akuzohet për vrasjen e Bledi Petraj, raportojnë mediat e huaja.
Urgjenca ka shkuar në adresën e ngjarjes dhe ka gjetur viktimën me plagë me thikë, e pasi e dërguan me spital, ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë në mbrëmjen e së dielës. Papa është arrestuar nga Policia Metropolitane, duke udhëtuar me makinë në dalje të Londrës.
Hetuesit britanik kanë paditur zyrtarisht me akuzën e vrasjes, 21-vjeçarin Kozma Papa, i cili banon në afërsi të qytetit të Bristolit, në jugperëndim të Anglisë. Autori i akuzuar, Kozma Papa, 21 vjeç ka dalë sot përpara një gjykate në Londër.
Në kuadër të hetimeve edhe një person tjetër, i moshës 30-vjeçare është arrestuar, por është liruar pa u ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj tij. Hetuesit britanikë po hetojnë ngjarjen por ende nuk dihet motivi i vrasjes./ZËRI