
BRITANI E MADHE- Leonard Farruku shpresonte për krijimin e një jete të re në Angli. Gjashtë muaj para se ai të gjendej i vdekur në banesën lundruese të refugjatëve Bibby Stockholm, shpresonte të merrte dokumentet. Nëna i kishte vdekur kur ishte 17 vjeç dhe babai disa vjet më vonë. Rrjeti britanik "The Guardian" ka komunikuar me të afërm e miq të të ndjerit si dhe me mësues të tij në Shqipëri, për të kuptuar më shumë mbi të kaluarën e Farrukut dhe arsyet që e çuan drejt vetëvrasjes. Askush nuk e mendonte se muzikanti ambicioz i fizarmonikës me një të ardhme premtuese në dukje, do të vriste veten.
Ata e përshkruajnë si një djalë punëtor që ëndërronte të bëhej muzikant, por i tronditur nga vdekja e parakohshme e nënës, kur ishte në Liceun Artistik Jordan Misja, në Tiranë.
Pas vdekjes së babait disa vjet më vonë Farruku, i njohur ndryshe si Nardi, nisi të mendonte të shkonte në Angli, deri sa kreu lundrimin e rrezikshëm të ngushticës me Francën në 2022, viti kur një numër rekord prej 12,301 shqiptarësh udhëtuan me gomone për të kërkuar azil në Angli.
“Na merr malli shumë për Leonardin, do të jemi gjithmonë të trishtuar për mënyrën si i dha fund jetës”, thotë motra e tij Jola Dushku, që jeton në Itali.
Duke folur nga një zonë e varfër në periferi të Tiranës, ku jetonte dhe Farruku, xhaxhai i tij Agroni, tregon për dhimbjen.
“Leonardi shkoi për të punuar ligjërisht në Angli, ishte ambicioz, donte punë dhe para, donte të kishte një jetë normale. Vdekja e tij na ka goditur rëndë, pjesa më e vështirë është të mos dimë çfarë i ka ndodhur. Si mund të mbetej i harruar për 12 orë në një impjant shtetëror? I kishte thënë motrës se kushtet në barkë ishin të mira, por trajtoheshin keq dhe donte më shumë liri, ankohej se zyrtarët e trajtonin si kriminel”.
Zyrtarët në Angli thonë se shqiptarit i ishte dhënë leja e punësimit disa ditë para tragjedisë, por ai nuk e kishte marrë ende lajmin. I lindur në 29 janar 1996, Farruku u rit në Vorë në periferi të Tiranës, me nënën Shkëndije, dhe babain Petrit muzikant i njohur klarinete në zonë. Ai ka dy motra më të mëdha Marsida e Jola.
Ata jetonin në një apartament të vogël parafabrikat në kushte të ftohta. Lindita Fejzo, ish-mësuesja e gjuhës së Farrukut, thotë se babai i tij, Petriti interesohej për arsimin e të birit dhe shkonte gjithmonë në takimet me prindër. Leonardi konkurroi me sukses për shkollën e arteve Jordan Misja, ku studioi nga viti 2011 deri në 2015. Mësuesit e përshkruajnë si një nxënës të sjellshëm dhe i shkëlqyer në veglën e fizarmonikës.
Drejtoresha e shkollës Valbona Kotepano, thotë se leonardi ishte nxënës i mirë dhe i talentuar, por në vitin e fundit dukej i trazuar, nuk studionte më dhe nisi të prishte notat, shpesh mungonte.
Edhe ish-shokët e tij Ervin Telo e Ariel Koka, të dy 28 vjeç, kujtojnë problemet e Farrukut: Pas vdekjes së nënës nuk kishte më motivim, ishte goditje e rëndë për të.
Ata thonë se vitet e fundit e kishin takuar në Tiranë teksa ishte në telashe financiare dhe ëndërronte të shkonte jashtë vendit. Pas vdekjes së babait Nardi kishte qenë disa kohë te motrat në Itali ku ishte përpjekur të gjente punë por nuk kishte arritur. Më pas vendosi të shkonte në Angli ku gjendeshin dy kushërinj të tij. Familjarët e Farrukut tashmë duhet të presin për hetimet mbi vdekjen e tij me shpresën e marrjes së përgjigjeve për të ndjerin./ZËRI