
ITALI- Eduart Goseni e Shkëlqim Lusha u vunë në pranga në kuadër të operacionit të zhvilluar në Itali, si ‘kokat’ e rrjetit të trafikut të drogës që u zbulua në Milano. Në total u vunë në pranga 24 persona, mes tyre 16 shqiptarë, 5 marokenë dhe një tunizian. Trafiku i heroinës dhe kokainës bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve. Banda furnizonte me drogë rrjete shpërndarësish në territorin e Italisë dhe në Zvicër, pjesa më e madhe ishin shpërndarës me origjinë afrikane.
Grupi ishte i angazhuar dhe në fushën e prostitucionit. Ata shfrytëzonin të paktën 20 vajza nga Evropa Lindore, të cilat detyroheshin përmes kërcënimeve dhe dhunës të prostituoheshin në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale, sidomos në zonën e Milanos. Vajzat kërcënoheshin se nëse do të largoheshin, do u bëheshin publike videot porno e intime që kishin në dorë anëtarë të grupit kriminal.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Bergamo, Monza, Brianza, Torino e Verona u sekuestruan 42 kg heroinë, kokainë e hashash, 2 pushkë, dhe 50 mijë euro. 200 karabinierë kryen kontrolle në 40 ambiente, mes tyre dhe një magazinë që përdorej për ruajtjen e përpunimin e drogës. Paratë e fituara nga tregtimi i drogës, investoheshin në Shqipëri.
Por si ranë autoritetet në gjurmët e trafikantëve?
Hetimet kanë nisur që pas arrestimit në vitin 2020 të korrierit Daniele Carra, 57 vjeç (nga Pandino, cremona), në Zvicër me 5.9 kilogramë heroinë, i cili vendosi të bashkëpunojë me policinë.
“Kam filluar të shes drogë në vitin 2019 për të fituar para”, - dëshmoi ai para hetuesve italianë, pasi ra në burg.
Rrëfimet e tij u vunë përballë bisedave të dala nga përgjimet dhe përputheshin.
Mes bisedave të zbardhura nga Corriere Della Sera është kapur dhe një fragment ku bie në sy mënyra se si nëna e Eduart Gosenit, Dëshira, nxiton të niset nga Shqipëria për në Itali për të ndihmuar djalin e saj pas arrestimit të Carra-s. Jo vetëm për ta ngushëlluar, por dhe për ta ndihmuar në organizimin e trafikut të drogës.
“Puno pak më ndryshe, mos i beso askujt derisa të zgjidhësh problemet që ke,”- i thotë ajo të birit.
“Me këto para? Por as një gram, thuaji që ta harrojë...,”- thotë ajo në një tjetër bisedë ku duket se i jep urdhra Eduart Gosenit.
Një nga të arrestuarit, një 31-vjeçar maroken, ishte viktimë e një prite me armë në Paderno Dugnano mbrëmjen e 12 marsit, por pa u lënduar.
Qarkullimi i grupit është vërtet shumë i madh. Falë një fletorejeje ku mbaheshin llogaritë, hetuesit kanë dalë në përfundimin se grupi ka kryer të paktën 544 mijë e 500 euro.
Për këtë arsye edhe gjyqtari hetues Mattia Fiorentini ka urdhëruar sekuestrimin “për ekuivalent” të pasurisë së bandës.
Pas një udhëtimi në Kalabri, një nga të arrestuarit tha: Ishin njëqind kalabrezë dhe vetëm një shqiptar. Do ta shihni nesër se çfarë do të bëj, do të shkoj të marr atë pampampam (armën) dhe do ta mbaj me vete si dikur. Unë nuk do t'u dorëzohem atyre i gjallë, më mirë të vras veten!