
MALËSI E MADHE- Janë shpëtuar turistët e bllokuar ditën e djeshme në Bogë. Disa prej personave janë dërguar në spital, ndërsa raportohet se vetëm njëri prej tyre ka marrë dëmtime. Kledison Doci ka thyer këmbën dhe po merr mjekim pranë spitalit rajonal Shkodër.
Grupi prej 10 personashu bllokuan një dtë më parë dhe njoftuan policinë për ti ardhur në ndihmë. Ata ishin nisur për ngjitje dhe në kthim, Doci u lëndua.
Njoftimi i policisë:
Pas 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte të vështira atmosferike dhe gjeografike, Policia ndihmon një grup alpinistësh të cilët kishin mbetur të bllokuar në një terren malor pasi njëri prej tyre e kishte të pamundur lëvizjen sepse kishte dëmtuar këmbën.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.
Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Ndërhyrja për shpëtimin e tyre ishte tepër e vështirë për shkak të pranisë së madhe të akullit./ZËRI