
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu sipërmarrësin e ndërtimeve në magazinën në pronësi të deputetit të PS-së, Bujar Çela, ku ndodhi shpërthimi disa ditë më parë.
GJKKO është shprehur se arrestimi i Leonard Gjinit është i paligjshëm, ndërsa dosja u kalua për kompetencë nga Gjykata e Lushnjes.
Kështu, Gjykata e Posaçme ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila la në burg sipërmarrësin e kompanisë që kishte marrë përsipër punimet në magazinë.
Vetë Gjini ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ka lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën.
Sipas tij, punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë së ndërtimit që ai ka.
Ndërkohë është lënë në fuqi pezullimi nga detyra për 5 zyrtarët e bashkisë dhe IMT-së. Deri tani nuk është marrë ende asnjë masë për deputetin Bujar Çela, në biznesin e të cilit ndodhi edhe shpërthimi.
Mbeten të pezulluar nga detyra 5 punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Lushnjë, Robert Kola kryeinspektori i IMT Lushnjë, Miklovan Petro jurist i IMT Lushnjë, Eugert Sina inspektor i IMT Lushnjë, Kudret Sula inspektor i IMT Lushnjë dhe Ilmi Uku inspektor i rajonit nr.5 Bashkia Lushnjë. Më herët Prokuroria e Fierit kishte ngritur tre akuza dhe ndaj deputetit socialist Bujar Çela, ky i fundit akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditën e 1 marsit. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha. Të dy e kishin ditën e parë të punës. Roland Hoxha humbi jetën në vinç ndërsa djali i tij u gjet disa metra larg të atit pasi ishte hedhur nga forca e shpërthimit. Pavarësisht se u nis me urgjencë drejt Tiranës, ai humbi jetën rrugës për në spitalin e Truamës./ZËRI