Aktualitet

‘Më kanë vendosur tre herë tritol’, pronari i mobilerisë në Durrës: Policia ia fut kot, s’kam konflikte

Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka persona të lënduar

E.K
‘Më kanë vendosur tre herë tritol’, pronari i
Artan Alla

DURRËS- Një shpërthim me tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen 14 të qytetit të Durrësit. Sipas informacioneve paraprake mësohet se disa persona kanë hedhur lëndë plasëse në një mobileri në zonën e Rashbullit. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se pas shpërthimit, policia e Durrësit ka shoqëruar 3 persona për t’i marrë në pyetje. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për konflikte pronësie që pronari i mobilerisë ka me persona të tjerë.

Mirëpo një fakt i tillë mohohet nga vetë pronari i biznesit, Artan Alla, i cili deklaron se policia ia ka futur kot, dhe se ai nuk ka konflikte me askënd. Sipas Allës kjo është hera e tretë që në biznesin e tij është vendosur lëndë plasëse.

“Nuk kam konflikt me asnjënjeri në botë, e kam me leje ndërtimi, rri këtu në derën e dyqanit. Policia ja ka futur kot, nuk di gjë fare se pse ka ndodhur. Kamerat kanë kapur një person duke e hedhur, ka qenë me kapuç dhe me maskë, kjo është hera e tretë që ma hedhin”, është shprehur pronari i mobilerisë Artan Alla.

Siç shihet dhe nga pamjet nga vendngjarja, si pasojë e shpërthimit janë thyer xhamat e jashtëm të mobilerisë. 

NJOFTIMI I POLICISË:

Durrës/Informacion paraprak

Në orët e para të mëngjesit, në Rrashbull, Durrës, në ambientet e jashtme të mobilierisë në pronësi të shtetasit L. A., 36 vjeç, është hedhur një sasi lënde e dyshuar plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se lënda plasëse është hedhur për shkak të një konflikti për motive pronësie. Në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës janë shoqëruar 3 shtetas që dyshohet se kanë dijeni për rastin. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e rastit, identifikimin e kapjen e autorit/ve./ZËRI 

Poll

MOS HUMB