
TIRANË- Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të sotëm, pranë një zyre noterie në zonën e ish-Bllokut. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se zyra në fjalë është në pronësi të noteres Esmeralda Dauti, e cila do të merret në pyetje nga policia për të hedhur dritë mbi konflikte të mundshme që ajo ka pasur me persona të tjerë, që mund të kenë vënë lëndën plasëse.
Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale, dhe fatmirësisht nuk ka pasoja në njerëz. Dauti nuk është përmendur më herët për ndonjë konflikt, por pista kryesore në të cilën po heton policia është ajo e vendosjes së tritolit për shkak të detyrës. Ajo ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri.
“Më datë 30.01.2024, rreth orës 04:10, është marrë njoftim se në rrugën “Perlat Rexhepi”, në ambientet e jashtme të një noterie, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve”, thuhet në njoftimin e policisë./ZËRI