
TIRANË-Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Tiranës Mariola Mërtiri. Kjo e fundit është kunata e Mirel Mërtirit, i cili është në kërkim prej vitit 2022 për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Vendimi u dha të hënën nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë. Mërtiri kishte marrë aprovimin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), në dhjetor të vitit të shkuar.
Por Kolegji i Pavarur i Kualifikimit vendosi të rivlerësojë prokuroren. Sipas KPA, prokurorja e Tiranës Mariola Mërtiri ka probleme të pasurisë dhe ka kontakte të papërshtatshme, nisur nga marrëdhënia e afërt me Mirel Mërtirin, ndërsa dyshohet se bashkëshorti i saj ka punuar në një nga kompanitë e Mërtirit. KPA shprehet, se vijimi i kryerjes e detyrës nga subjekti do të ishte në mospërputhje me qëllimin e procesit të rivlerësimit për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Po ashtu problem në dosjen e Mariola Mërtirit ishin dhe çështjet e trajtuara nga ajo. KPA gjeti shkelje të cilat cënonin besimin tek institucioni i drejtësisë.
Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkuan rihetim të subjektit dhe gjetjet e tyre ishin elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua KPK. Në rekomandim, vëzhguesit evidentuan se shumica në KPK dështoi të kryente hetim të plotë dhe po ashtu edhe të arsyetojë apo argumentojë vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. Bazuar në këtë rekomandim, Komisionerja Publike, Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj duke kërkuar shkarkimin e Mërtirit./ZËRI