
TIRANË-Besnik Hoxha, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash një vit më parë në KPK, është shkarkuar nga detyra. Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit. Sipas KPA, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.
Hoxha është i njohur si një nga anëtarët e trupës që gjykoi çështjen dhe u dha pafajësi gardistëve të akuzuar për vrasjet në protestën e 21 janarit. Besnik Hoxha kryesoi më 8 shkurt 2013 trupën gjykuese shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI