
TIRANË- 16-vjeçarja kishte shkuar në spital për të shoqëruar gjyshen e saj. Edhe pse asokohe vetëm 14 vjeç kishte mbi supe përgjegjësinë e kujdesit për të gjyshen e moshuar. Në spital u përball me atë që do të ishte abuzuesi i saj, mjeku Dervish Hasi që po asistonte të moshuarën. Por që me kalimin e ditëve, e mitura nisi një raport intim me mjekun, i cili nga ana tjetër e manipulonte duke i premtuar kurorë si gruan e tij të katërt.
“16-vjeçarja ishte në spital nga gjyshja. Vajza ka qenë personi i kontaktit gjatë trajtimit të gjyshes, kur ishte 14 vjeçe. Prindërit thonë se vajza nisi të ndryshonte sjellje, të largohej nga banesa dhe të indoktrinohej nga mjeku,”-tregoi gazetarja Anila Hoxha. Por edhe pse ishin dëshmitarë të zhdukjes të së bijës, sërish prindërit nuk e denoncuan në Polici rastin. Ishte denoncimi i bërë nga një person i paidentifikuar ai që vendosi në burg mjekun abuzues.
Në telefonin e tij u gjetën provat për abuzimin e të miturës. Mjeku 42-vjeçar kishte krijuar një grup me të katër "gratë" e tij, të cilin e përdorte për të komunikuar dhe për të shpërndarë materiale pornografike. Në galeri, mjeku ka shpërndarë edhe video intime të të miturës, ndaj përveç abuzimit me një të mitur, mjeku akuzohet edhe për pornografi.
Vetë mjeku Hasi ka pretenduar në Gjykatë se nuk ka bërë trafikim dhe pornografi ndaj të miturës, ndërsa sipas tij kishte aplikuar në gjykatë që të martohej me 16-vjeçaren.
“Kurrë në jetën time nuk kam bërë ndonjëherë trafikim, apo pornografi me gruan time (16-vjeçaren). Nëse i kam bërë atëherë jam dakord të qëndroj në burg,”- ka deklaruar Hasi. Edhe pse në banesë mbante 3 gra, dyshohet se ligjërisht mjeku rezultonte beqar.
Ndërkohë, janë kërkuar edhe dëshmitë e bashkëjetueseve të tjera të mjekut, të cilat deri më tani refuzojnë të flasin./ZËRI