
TIRANË- Numër rekord arrestimesh në vend, shkatërrohen 23 grupe kriminale, 214 të arrestuar.
Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me operacionin “Tempulli” kundër shpërndarësve të drogës, i cili u shtri në disa qytete kryesore të vendit, që prej mesnatës së djeshme.
Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku deklaroi se në total janë lëshuar 296 masa sigurie “arrest me burg”, nga të cilat janë ekzekutuar 214, ndërsa 82 persona janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë personat e arrestuar janë pjesë e 23 grupeve kriminale, që operonin në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Vlorë.
“Janë sekuestruar kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, armë zjarri dhe armë të ftohta, vlera monetare e aksesorë që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”, tha Rrumbullaku.
Operacioni policor u zhvilluar në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në shkolla.
“Prej disa ditësh janë impementuar një sërë masha të reja, për sigurinë në shkollë. Një nga masat është parandalimi i shitjes së narkotikëve pranë shkollave. ‘Tempulli’ për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, bareve, lokaleve, restoranteve”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
I pranishëm në këtë deklaratë për mediat ishte dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se gjatë këtij operacioni u zbuluan drogëra që nuk kishte informacion më herët që ishin futur në Shqipëri.
Ministri tha se këto lloj drogrash sintetike, që po përdoren në Shqipëri janë ndër më të rrezikshmet për jetën e të rinjve, ndërsa paralajmëroi luftë të vazhdueshme kundër trafikimit të drogës.
“Përgëzoj dhe i shpreh mirënjohjen time forcave të policisë së shtetit të përfshira në operacionin e konkluduar sot. Falënderoj prokurorinë dhe forcat e armatosura të cilat përmes Shtabit të përgjithshëm në bënë të mundur edhe vënien në dispozicion të helikopterëve. Ishte një operacion i mirëkoordinuar për identifikimin dhe goditjen e rrjeteve kriminale për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Operacioni shënoi rezultate impresionues enë luftën kundër drogës.
Janë 214 masa sigurie shtuar këtu edhe 23 të tjerë që janë arrestuar gjatë kontrollove në flagrancë. Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa të panjohura më parë. Po ulet mosha e atyre që përdorin për herë të parë lëndë narkotike duke filluar nëpër shkolla veçanërisht në shkolla të mesme.
Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike që paraqesin rrezikshmëri të lartë. Janë zbuluar llojë droge që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri. Këto të dhëna janë një kambanë alarmi por institucionet duhet të bëjnë reagim të gjithë së bashku. S’do lejojmë zona të lira për spacatorët e drogës”, tha Balla.