
ITALI- Anëtarët të fisit Lusha e Goseni ishin drejtuesit e një grupi kriminal që u shkatërrua nga karabinierët dy ditë më parë, në kuadër të një operacioni që çoi në prangosjen e 24 personave, mes tyre 16 shqiptarë, 5 marokenë dhe një tunizian.
Repubblica ka publikuar dhe pamje nga operacioni i zhvilluar, ku shihen lëvizjet e anëtarëve të grupit kriminal me makinë, transportimi i kokainës e heroinës si dhe momente nga numërimi i parave.
Trafiku i heroinës dhe kokainës bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve. Banda furnizonte me drogë rrjete shpërndarësish në territorin e Italisë dhe në Zvicër, pjesa më e madhe ishin shpërndarës me origjinë afrikane.
Grupi ishte i angazhuar dhe në fushën e prostitucionit. Ata shfrytëzonin të paktën 20 vajza nga Evropa Lindore, të cilat detyroheshin përmes kërcënimeve dhe dhunës të prostituoheshin në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale, sidomos në zonën e Milanos. Vajzat kërcënoheshin se nëse do të largoheshin, do u bëheshin publike videot porno e intime që kishin në dorë anëtarë të grupit kriminal.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Bergamo, Monza, Brianza, Torino e Verona u sekuestruan 42 kg heroinë, kokainë e hashash, 2 pushkë, dhe 50 mijë euro. 200 karabinierë kryen kontrolle në 40 ambiente, mes tyre dhe një magazinë që përdorej për ruajtjen e përpunimin e drogës. Paratë ë fituara nga tregtimi i drogës, investoheshin në Shqipëri.