
TIRANË- Nikoll Deda, kreu i Urdhrit të Stomatologëve është pezulluar këtë të shtunë nga detyra për shkak se ka larguar një punonjës nga puna pa të drejtë. Ai akuzohet dhe për shpërdorim detyre. Sipas Prokurorisë, Nikoll Deda është kallëzuar në Prokurori nga A.G.
A.G e kallëzoi Dedën pranë organit të akuzës në janar të këtij viti për abuzime financiare dhe manipulimin e vendimmarrjes në Këshillin Kombëtar të institucionit që nga viti 2016. Prokuroria e Tranës sqaron se nga hetimet, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij Nikoll Deda ka krijuar një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni.
Për më tepër punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, sipas akuzës janë thjesht tregues i personalizimit të “Urdhrit të Stomatologut” nga Deda duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Kallëzuesi deklaroi se edhe pse me vendimin e Gjykatës Administrative më datë 07.02.2020 është vendosur sigurimi i padisë për vendimet Nr.16 dhe 18, datë 07.11.2019, shtetasi Nikolla Deda, në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, ka vijuar në mënyrë të jashtëligjshme me mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe Asamblesë, ku ka marrë vendime të dyshimta me karakter financiar, si dhe ka kryer punësime të familjarëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të vetë familjes së tij.
Sipas tij, më datë 21.09.2020 është vendosur blerja e një godine, në funksion të Urdhrit të Stomatologut, me sipërfaqe 350m2 , në vlerën 700.000 euro. Për sa kohë ka një vendim për sigurim padie të 2020, Këshilli Kombëtar i US nuk duhet të merrte vendime të tilla me impakt ekonomik kaq të lartë.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar ka aprovuar marrjen e nje kredie pranë një banke në vlerën prej 250.000 euro me qëllim “blerje ambientesh”, për të cilin është marrë vendimi po nga presidenti N.D.
Nga hetimet, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi N.D. ka krijuar një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut ne nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni. Për më tepër punësimi i të fejuarave të djemve të tij në Urdhrin e Stomatologut, apo fëmijëve të anëtarëve të Këshillit Kombëtar janë thjesht tregues i personalizimin e “Urdhrit të Stomatologut” nga shtetasi N.D., duke krijuar një klimë posedimi privat të këtij enti publik. Pavarësisht se është marre i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal, në një tjetër procedim penal, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytezuar strukturat e USSH-së.
Në lidhje me ngjarjen më herët reagoi dhe Policia e Shtetit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar "Election". Shpërdoroi detyrën duke shkarkuar pa të drejtë një punonjës, ekzekutohet masa e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik".
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune disamujore në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Election”. Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, për shtetasin N. D., 68 vjeç,
banues në Tiranë.
Ky shtetas, duke shpërdoruar detyrën si Kryetar i Urdhrit të Stomatologut, nuk ka zbatuar rregulloren e brendshme për zgjedhjet e reja të Komitetit Drejtues, dhe me afat të përfunduar si mbajtës i këtij posti, ka shkarkuar pa të drejtë nga detyra një punonjës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Zëri.ai