
SHËNGJIN- Disa orë pasi mbërritën në qendrën e pritjes së emigrantëve në Shëngjin 49 refugjatë, 4 prej tyre do të kthehen sërish në Itali. Sipas mediave italiane, në vendin fqinj do të kthehen 3 të mitur dhe një 49-vjeçar me probleme shëndetësore. Anija “Cassiopea” me emigrantë mbërriti mëngjesin e sotëm në Shëngjin. Pasi mbërritën në port, ata iu nënshtruan kontrolleve nga autoritetet italiane.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Deri më tani qendrat pritëse kanë qenë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI