
TIRANË- Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin që prej orëve të para mëngjesit kanë shkaktuar bilance tragjike në rrugët e vendit. Katër aksidentet të rënda regjistruan një bilanc me 2 viktima. Shkak për aksidentet është bërë lagështia në rrugë dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
Aksidenti i parë
Aksidenti i parë u regjistrua në orët e para të mëngjesit në fshatin Vidhas në Elbasan. Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën, për pasojë u lënduan dy drejtuesit e mjeteve, një prej të cilëve në gjendje më të rënduar shëndetësore. 32-vjeçari i identifikuar me inicialet Gj.Z u transportua në spitalin e Elbasanit dhe ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha. Lagështia në rrugë ishte shkaku i aksidentit. Për pasojë për disa minuta qarkullimi i mjeteve u bllokua duke shkaktuar radhë të gjata trafiku.

Aksidenti i dytë
Një tjetër asksident në pak orë do të regjistrohej si pasojë e motit të keq. Këtë të herë në aksin Fier-Levan. Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën por fatmirësisht nuk u regjistruan persona të lënduar por vetëm dëme materiale.
Në Milot trajleri del nga rruga
Pa kaluar shumë nga dy aksidentet e para një tjetër aksident do të regjistrohej në vend, këtë herë në Milot. Një trajler si pasojë e lagështisë në rrugë, del prej saj. Siç mund të shihet në pamje shiu i dendur dhe era e fortë e bëjnë të pamundur shikimin. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Fatrmirësisht nuk pati të lënduar.

‘Përgjaket’ Tirana
Një aksident i rëndë i regjistruar pasditën e kësaj të mërkurë në zonën e Kopshtit Zoologjik në kryeqytet do ti merrte jetën studentit të Akademisë së Sigurisë, Arjan Shahajt. I riu ishte po lëvizte me shpejtësi në autostradë nga Sauku në drejtim të digës së Liqenit kur është përplasur me një tjetër makinë.
Si pasojë e përplasjes së fortë makina e tij ka përfunduar e botuar në rrugë dhe ka dalë jashtë saj. Shahaj ka gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.

Makina përmbyset në Rrugën Arbrit
Raportohet se dy persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e kësaj të marte në Rrugën e Arbrit pasi makina me të cilën ata udhëtonin humbi kontrollin dhe u përmbys mbi "Urën e Fshatit" në 158 metra lartësi.
Burrë e grua u transportuan menjëherë në spital dhe ndodhën në kujdesin e mjekëve.

NJOFTIMI I POLICISË:
Klos/Informacion paraprak. Në vendin e quajtur Ura e fshatit Fshat, shtetasi A.K., 26 vjeç, duke drejtuar automjetin tip "Volkswagen", ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti është përmbysur në anë të rrugës. Për pasojë është lënduar drejtuesi i mjetit dhe një pasagjere të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti.
Ndërkohë autoritetet kanë përsëritur apelin e ndaj drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë me kujdes. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale u bënte thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar. Rama shkruante se të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë për përballimin e situatës por dhe qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor.
Përpos aksidenteve kjo e mërkurë me shi dhe erë ka sjellë dhe bllokimin e disa akseve të rëndësishme në vend. Nga përmbytjet nuk “shpëtoi” as kryeqyteti. Në Durrës dhe Vlorë pati po ashtu probleme. Ndërkohë Kukësi, Tropoja dhe Shkodra kishin probleme me energjinë elektrike. Ndërsa në Dibër dhe Burrel rrëshqitja e dherave solli bllokimin e rrugëve./Zëri.ai