Aktualitet

Shfrytëzonin 10-vjeçarin për të përfituar nga TikTok-u, arrestohet babai dhe gjyshja

Kallëzimin në Polici e kishte bërë nëna e të miturit, por Policisë i janë dashur 2 muaj hetime që të ndërhyjnë për të arrestuar nënë e bir. 

k.m.
Shfrytëzonin 10-vjeçarin për të përfituar nga
Armando Kumaraku dhe Natasha Rombola

KUÇOVË- Babai dhe gjyshja e një të mituri kanë përfunduar në pranga, pasi shfrytëzonin një 10-vjeçar duke i postuar video në rrjetin social "TikTok". Armando Kumaraku dhe Natasha Rombola xhironin dhe më pas publikonin video të të miturit, i cili shfaqej duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, me qëllim që të ndiqeshin më shumë në rrjetin e tyre social. Kallëzimin në Polici e kishte bërë nëna e të miturit, pas një video të bërë viruale kudo në rrjet, ku djali 10-vjeçar shfaqet duke sharë një komentues me fjalor të papërshtatshëm. Pas denoncimit të rastit menjëherë kanë nisur hetimet, por Policisë u janë dashur më shumë se 2 muaj që të vendosin në pranga nënë e bir. 

Natasha u bë e njohur për publikun pas historisë së bujshme me ish-nusen e saj mbi kujdestarinë e djalit të mitur, ndërsa në rrjetet sociale njihet për fjalorin e saj banal, të cilin e shpalos në çdo rast që i jepet mundësia. Madje edhe para të nipit të mitur, të cilin e ka shfrytëzuar për të përfituar sa më shumë në "TikTok".

NJOFTIMI I POLICISË:

Kuçovë

Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Shoë”. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat. Shfrytëzonin një të mitur 10 vjeç, me qëllim përfitimin nga rrjeti social TikTok, duke postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale, vihen në pranga 2 shtetas (babai dhe gjyshja e të miturit). Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast. Si rezultat i hetimeve dymujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. K. dhe N. R. Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Shoë”. Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale. Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë./ZËRI

Poll

MOS HUMB