TIRANË- Kjo është thika që u zbulua në burgun e Fierit dhe që dyshohet se është përdorur gjatë sherrit të ndodhur pak ditë më parë, ku u sulmua Denis Bajri, alias Brajovic. Thika artizanale është sekuestruar nga autoritetet dhe po mbahet si provë në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Bajri, në dëshminë e tij para hetuesve, ka pretenduar se i burgosuri tjetër, Jurgen Zoto, e ka sulmuar me thikë artizanale me porosi të shumëkërkuarit Ibrahim Lici.
Sipas dëshmisë së Bajrit, gjithçka ka nisur pasi Aldo Gjini ka kërkuar ta takojë në qeli. Ai është paraqitur së bashku me Jurgen Zoton, i cili më pas i ka dhënë Bajrit një telefon, ku në linjë ka qenë Ibrahim Lici.
“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi ne qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat!. Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”, mësohet të ketë thënë Bajri.
Referuar dëshmisë së tij, më pas, dy të paraburgosurit e kanë sulmuar me thikë artizanale. Si pasojë e përplasjes, Denis Bajri dhe Jurgen Zoto mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Aldo Gjini përfundoi në izolim.
Ndërkohë, pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi të përjashtojë 8 efektivë të policisë dhe t’i referojë në prokurori për shpërdorim detyre./ZËRI