
TIRANË- Seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Posaçëm për zhbllokimin e pasurive të Jamarbër Malltezit është shtyrë për ditën e nesërme. Në seancën e sotme Prokuroria e Posaçme ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga çështja për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit për sekuestron e pasurive me argumentin e konfliktit të interesit. Jamarber Malltezit i jane sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, 6 llogari bankare dhe aksione në kompani.
Gjyqtarja Olldashi, ishte ajo që zbuti masën e sigurisë për Malltezin, duke e nxjerrë nga burgu dhe duke caktuar masën arrest shtëpie. Ditën e djeshme SPAK njoftoi se do bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, kundër këtij vendimi.
“Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 23.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 168 akti, datë 13.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim J.M. dhe palës së interesuar A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 410, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi sendet, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 12:00”, thuhet në njoftim.
Për Malltezin SPAK pretendon se duhet të qëndrojë në burg, pasi nuk ka asnjë rrethanë për lehtësimin e masës ndaj tij. Gjyqtarja Olldashi ka blerë apartament në vitin 2015 në kompleksin në pronësi të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaji tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. /Zëri.ai