
TIRANË- Një debat që po zhvillohet online, si rrallëherë ka tërhequr edhe vëmendjen e konsumatorëve. Bëhet fjalë për një "përplasje" që po në rrjetet sociale mes medias "Lolita Albania" dhe kompanisë "Lufra". Gjithçka nisi me një postim të lopës Lara nga kompania dhe më pas, "Lolita" e shpërndau postimin në profilin e saj duke shkruar një fakt shumë të thjesht: Kompania Lufra nuk ka fermë, por vetëm përpunon qumështin.
Lolita: Lara është yll e bukur, por kompania Lufra nuk ka fermë. Boll përdorët Larën e shkretë dhe cicat e saj për qëllime marketingu. Nuk e di nga e merr qumështin kjo kompani, por ajo që di me siguri është se nuk kanë fermë lopësh.
Përgjigjia erdhi menjëherë në komente nga vetë kompania, ku sqaron se lopa është nga ferma Demiri, që furnizon rrjetin bashkë me 450 fermerë të tjerë.
Lufra: Tek Lufra na ka pëlqyer gjithmonë humori i Lol Albania. Në fakt, si kompani, na pëlqen humori – edhe kur bëhet me ne. Është e vërtetë që nuk kemi një fermë tonën, por po aq e vërtetë është që Lara ekziston dhe “punon” çdo ditë në një nga fermat partnere që na furnizojnë me qumësht të freskët: Ferma Demiri – mund ta gjeni edhe në Instagram si @s.s.s.s_ferma_demiri nëse doni ta njihni më nga afër. Sot bashkëpunojmë me mbi 450 fermerë shqiptarë, të cilët i mbështesim me teknologji, trajnime dhe tanke ftohëse – sepse cilësia fillon në fermë. Dhe sepse e dimë që njerëzit duan më shumë transparencë (dhe kanë të drejtë), kemi nisur një rubrikë që tregon të vërtetat pas qumështit tonë dhe sigurinë që ofrojnë produktet Lufra. (na ndiqni ne rrjetet tona sociale per ti pare) Lolita, nëse do, do na bëhej vërtetë qejfi të të ftonim të vizitosh disa nga këto ferma dhe fabrikën tonë. Jo për të të bindur me komente – por që ta shohësh vetë nga afër çfarë përpiqemi të bëjmë çdo ditë.
Teksa panë që kompania ishte futur vetë në komente dhe po kthente përgjigje, edhe komentuesit e tjerë shfrytëzuan mundësinë që të pyesnin lidhur me përdorimin e qumështit pluhur. Sipas kompanisë, aludimet se Lufra përdor qumësht pluhur nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të pavërteta.
Lufra: E kuptojmë që ka shumë aludime për industrinë e qumështit – disa të sakta, disa jo. Por për të qenë të qartë: Lufra nuk përdor qumësht pluhur nga Serbia, Maqedonia apo ndonjë vend tjetër për produktet e saj të freskëta. Këto produkte bëhen nga qumësht i freskët ferme, që vjen çdo ditë nga më shumë se 450 fermerë me të cilët punojmë prej vitesh. Nëse ka ndonjë fakt qe tregon të kundërtën, jemi këtu për ta dëgjuar. Në të kundërt, le të flasim me të vërteta, jo me aludime.
Në vazhdën e pyetjeve edhe Lolita ka kërkuar informacion nga kompania për përdorimin e vajit të palmës. Një tjetër produkt që përdoret gjerësisht dhe që po shqetëson konsumatorët. Përgjigja ishte negative. Sipas kompanisë, ingredientët e produkteve janë ato që shkruhen në produkt dhe nuk kanë asnjë shtesë.
Lolita: Pyetja ishte shumë e thjeshtë, shteruese dhe aspak me doza ironie pasi bëhet fjalë për shëndetin e konsumatorit. Po e ripërsërisim:
Sa është sasia e vajit të palmës të importuar ose blerë nga ana juaj? Nëse kompania juaj nuk ka importuar nga jashtë, ose blerë në tregun vendas nga operatorë, qoftë dhe kompani të tjera të pronarëve tuaj vaj palme, thjesht mund të deklaroni që nuk kemi blerë asnjë litër.
P.s Keni harruar pa përmendur salcën e kosit si një nga produktet që përdoret më shumë vaji i palmës. Por mbase nuk prodhoni më.
Lufra: Pavarësisht se pyetja vjen pak me doza satirike ne do përgjigjemi me seriozitet, sepse mbi të gjitha respektojmë konsumatorin që po na ndjek në këtë "spektakël" që po zhvillohet këtu. Megjithatë, për ta thënë troç: ne nuk jemi aq të zotët në Facebook sa disa prej jush. Puna jonë e përditshme nuk është të fitojmë debate online, por të bëjmë produkte të mira, të sigurta, me njerëz që punojnë me ndershmëri në ferma dhe në fabrikë. Asnjë nga produktet e markës Lufra si qumështi, kosi, dhalla, gjalpi, djathi, etj. nuk përmban vaj palme. Çdo përbërës është i deklaruar në etiketë, siç e kërkon ligji. Për këdo që ka me të vërtetë interes të kuptojë se si i bëjmë gjërat, na shkruani në inbox dhe do organizojmë vizita në fabrikë dhe në ferma, që t'ju përgjigjemi çdo pyetje sy më sy. Jeni të mirëpritur të vini e t'i shihni të gjitha me sytë tuaj.
Kështu nga ky debat, të paktën mësuam pretendimet dhe qytetarët patën të paktën një mundësi për të pyetur lidhur me gjërat që vërtetë i shqetësojnë në produktet që konsumojnë në përditshmërinë e tyre./ZËRI