
DURRËS- Pas apelit të nënës, Policia e Durrësit ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me rrëmbimin e 3-vjeçarit nga gjyshërit e tij. Në njoftimin e bërë nga Policia e Shtetit konfirmohet fakti gjyshi i të miturit, Rexhep Gjuni është rrëmbyesi, por shtojnë se deri më tani nuk kanë asnjë të dhënë që mund të lokalizojë 3-vjeçarin.
Gjithashtu, Policia njofton se po vijojnë kontrollet për gjetjen e të miturit dhe se do të ketë njoftime të tjera në vijim lidhur me ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. Gj., 60 vjeç, pasi më datë 13.04.2024, në këtë komisariat, është paraqitur një shtetase 23 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka kallëzuar se vjehrri i saj, shtetasi R. Gj., ka marrë fëmijën e saj 3 vjeç dhe nuk ia ka kthyer më. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. Gj., por nuk e kanë gjetur fëmijën. Vijojnë kontrollet intesive për gjetjen e tij.
Për ecurinë e kërkimeve dhe të veprimeve hetimore për këtë rast do të ketë njoftime të tjera në vijim. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”./ZËRI