MALLAKASTËR- Kanë rinisur ndërhyrjet nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit në masivin pyjor të Lofkendit në Mallakastër. Vatra e zjarrit vijon të jetë aktive prej disa ditësh, duke djegur sipërfaqe të mëdha pyjore.
View this post on Instagram
Forcat operacionale ndodhen prej disa ditësh në terren, por për shkak të erës së fortë, zjarri nuk është vënë ende nën kontroll dhe vijon të përhapet, duke rrezikuar edhe sipërfaqe të tjera. Për shkak të situatës kritike, në terren janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, 30 punonjës të forcave bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve.
Ditën e djeshme, Ministria e Mbrojtjes publikoi bilancin më të fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se janë evidentuar 14 vatra zjarri, ndërsa shtatë prej tyre vijojnë të mbeten aktive.
Një nga zonat më problematike mbetet Bashkia Mallakastër, konkretisht në fshatrat Riban dhe Ngracan. Për përballimin e situatës janë angazhuar dhjetëra forca në terren, përfshirë 246 efektivë operacionalë, 90 ushtarë të Forcave të Armatosura, 29 mjete zjarrfikëse, si dhe një helikopter dhe një avion Air Tractor të Forcës Ajrore, të cilët po mbështesin operacionet e shuarjes së zjarrit nga ajri./ZËRI

