Aktualitet

"1 prilli" me baste sportive/ Rihapen pikat e llotove, model i vjetër tani...legal!

Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit.

E.K
"1 prilli" me baste sportive/ Rihapen pikat e llotove, model i
Foto ilustruese

TIRANË- Sot, më 1 prill (Ditën e Gënjeshtrave) kanë nisur zyrtarisht aktivitetin e tyre bastet sportive, të cilat do të kenë vetëm një ndryshim, do të jenë online. Por pavarësisht kësaj, bizneset, të cilat do të përfitojnë të drejtën e ofrimit të aktivitetit, kanë nisur përgatitjet për hapjen e pikave, ku do të mund të shihen ndeshjet live apo të konsumohet një kafe. Një tipologji e modelit të vjetër, i cili këtë të hënë me ndryshimet ligjore do të jetë... i ligjshëm.

Në total, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, do të japë 10 licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti me periudhë jetë-gjatësie 10 vite. Çdo kompani që do të përfitojë licensën do të ketë të drejtë të administrojë deri në 1000 njësi. Aplikimi kushton 500 mijë lekë ndërsa marrja e licenses do të kushtojë 400 milionë lekë të reja.

Sipas ndryshime ligjore, që i hapën rrugë rrugë rikthimit të lojërave të fatit pas mbylljes në vition 2018 në aksionin ‘Fundi i marrëzisë”, subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët e tij duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Po ashtu nuk duhet të ketë detyrime të papaguara apo probleme me ligjin.

Për të luajtur online, persona do të regjistrohen me kartën e identitetin në faqen ueb, ose aplikacion, të gjitha transaksionet do bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe organizatorët janë të detyruar që të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër të posaçëm për tre vite. Po ashtu të gjithë subjektet që do të zhvillojnë aktivitetin për ti dhënë garanci fituesit duhet të bllokojnë në llogarinë bankare 120 milionë lekë. Kjo llogari do të jetë në favor të Ministrisë së Financave dhe do të zbllokohet vetëm me urdhër të saj.

Dhjetë kompanitë brenda datës 15 të çdo muaj duhet të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm 15% të ardhurave bruto nga loja, kurse lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, pra me fasha nga 13-23%. 

Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë./ZËRI

Poll

MOS HUMB