Aktualitet

Rektori i UT-së Artan Hoxha dhe Dekania e 'Juridikut' paditen për plagjiaturë në punimet doktoriale

Në kallëzimin e tij drejtuar Presidentit të Republikës, Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera si Avokati i Popullit, Muka shprehet se Rektori, Artan Hoxha në vitin 2009 ka përfunduar studimet doktorale dhe i është akorduar titulli “Doktor Shkencash”, bazuar në temën e doktoraturës së titulluar.

E.K
Rektori i UT-së Artan Hoxha dhe Dekania e 'Juridikut' paditen
Dorina Hoxha dhe Artan Hoxha

TIRANË- Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka ka kallëzuar për plagjiaturë, Rektorin e Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Dekanen e Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha. Në kallëzimin e tij drejtuar Presidentit të Republikës, Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera si Avokati i Popullit, Muka shprehet se Rektori, Artan Hoxha në vitin 2009 ka përfunduar studimet doktorale dhe i është akorduar titulli “Doktor Shkencash”, bazuar në temën e doktoraturës së titulluar: “Bashkëpunimi Gjyqësor Ndërkombëtar në fushën Penale” me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Skënder Kaçupi. Sipas Mukës, sipas gjetjeve të Aneksit nr.1, ka kopjuar fjalë-për-fjalë, idenë, strukturën, mendimet dhe bibliografinë e Dr. Stănilă, duke e trajtuar si vepër autentike/origjinale të tij, pa e cituar. Muka shprehet se në këtë mënyrë, Hoxha ka konsumuar kështu një mori shkeljesh të kuadrit rregullator në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Shkeljet dhe argumentet e paraqituara nga Muka:

Së pari, bazuar në Urdhrin nr. 105, datë 23.3.2012 “Për miratimin e rregullores “Për etikën në veprimtarinë̈ kërkimore dhe botuese”” të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, lind e nevojshme të shqyrtohet etika e z. Hoxha në kërkimin shkencor. Specifikisht, z. Hoxha është në shkelje flagrante të parashikimeve të sanksionuara në Kreu I pika 3, 3.1, 3.2 dhe 3.3. Konkretisht pika 3, parashikon se: “kultura kërkimore kërkon: (3.1) nivel të lartë shkencor (ekselencë); (3.2) ndershmëri; (3.3) kompetencë dhe integritet”.

Së dyti, bazuar në nenin 33/7 të Statutit të UT-së, Ministrja e Arsimit znj. Manastirliu dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Begaj, bazuar në kuadrin rregullator në fuqi dhe duke konsideruar këtë kallëzim, duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për vlerësimin e shkarkimit dhe ndalimit të kandidimit të z. Hoxha si Rektor në UT.

Së treti, bazuar në nenin 75/2/ç të Statutit të UT-së, shkelja e të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale konsiderohen shkelje e rëndë dhe përbëjnë shkak për mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore. Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi, Senati Akademik, bazuar në nenin 76/5 të Statutit të UT-së ka detyrimin ligjor të ngrejë një komision disiplinor ad hoc me qellim që bazuar në nenin 76/7 të vlerësojë masën disiplinore të largimit të menjëhershëm nga puna të personelit akademik me kohë të plotë z. Hoxha, në përputhje me parashikimet e Kodit të Punës. Gjithashtu, Senati akademik duhet të ndërmarrë të gjitha masat e menjëhershme në bashkëpunim me organet/komisionet e tjera të UT-së, për vlerësimnin e shfuqizimit të gradës shkencore “Doktor Shkencash” që i është akorduar z. Hoxha.

Së katërti, bazuar në gjetjet e parashtruara në Aneksin nr.1, KPPA duhet të veprojë menjëherë për shfuqizimin e titullit akademik “Profesor” të z. Hoxha, në përputhje me  parashikimet e nenit 30 të Vendimit nr.21/2022 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik të Universitetit të Tiranës””, ose rregullores së aplikueshme në kohën kur z. Hoxha ka marrë titullin akademik. KPPA duhet të bëjë një hetim të thelluar edhe për dokumentacionin që z. Hoxha ka depozituar për marrjen e titullit. Kështu, teksti mësimor “Ekstradimi dhe Urdhëri Europian i Ndalimit”, i publikuar nga Botimet Morava në Tiranë 2011, nga f.299-e në vijim, janë materiale të marra nga disertacioni plagjaturë dhe është/mund të jetë përdorur për marrjen e titullit “Prof.asoc” apo “Prof”.

Së pesti, Senati Akademik i UT-së dhe strukturat e tjera të UT-së kanë detyrimin ligjor që sa kohë janë vënë në dijeni të këtij fakti i cili mund të përbëjë edhe kundërvajtje penale në kuadër të nenit 148 të Kodit Penal, sipas të cilit “botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, t’i drejtohen Prokurorisë dhe/ose organeve të tjera që i çmon të arsyeshme me qëllim vendosjen e drejtësisë.

Së gjashti, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve, me marrjen dijeni të kësaj shkrese, bazuar në Vendimin nr.5/2020, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës””, duhet të veprojë menjëherë duke vlerësuar (i) përjashtimin e kandidatit për Rektor të UT-së z. Hoxha; (ii) anulimin e zgjedhjeve dhe (iii) fillimin e procesit zgjedhor nga fillimi.

Së shtati, Institucionet që do të marrin dijeni mbi këtë shkresë duhet të tregojnë vigjilencën maksimale lidhur me procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës dhe ligjshmërinë e tij.

Ndërkohë, sa i përket Dekanes së Fakultetit të Juridikut, Dorina Hoxha, Taulant Muka shkruan në kallëzimin e tij, se Hoxha në vitin 2013 ka përfunduar studimet doktorale dhe i është akorduar titulli “Doktor Shkencash”, bazuar në temën e doktoraturës së titulluar: “Elementi Kohë dhe Vepra Penale” me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Skënder Kaçupi. Në këtë punimin, sipas Mukës, Hoxha, ka kopjuar fjalë për fjalë, idenë, strukturën, mendimet dhe bibliografinë e Dr. Franceschini dhe pjesërisht Dr. Riondato, duke e trajtuar si vepër autentike/origjinale të saj, pa e cituar apo qenë e autorizuar.

Rektori i UT-së Artan Hoxha dhe Dekania e 'Juridikut' paditen
Kallëzimi
Rektori i UT-së Artan Hoxha dhe Dekania e 'Juridikut' paditen
Kallëzimi

Shkeljet dhe argumentet sipas Mukës: 

Së pari, bazuar në Urdhrin nr. 105, datë 23.3.2012 “Për miratimin e rregullores “Për etikën në veprimtarinë̈ kërkimore dhe botuese”” të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, lind e nevojshme të shqyrtohet etika e zj. Hoxha në kërkimin shkencor. Specifikisht, znj. Hoxha është në shkelje flagrante të parashikimeve të sanksionuara në Kreu I pika 3, 3.1, 3.2 dhe 3.3.  Konkretisht pika 3, parashikon se: “kultura kërkimore kërkon: (3.1) nivel të lartë shkencor (ekselencë); (3.2) ndershmëri; (3.3) kompetencë dhe integritet”.

Së dyti, bazuar në nenin 75/2/ç të Statutit të UT-së, shkelja e të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale konsiderohen shkelje e rëndë dhe përbëjnë shkak për mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore. Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi Senati Akademik, bazuar në nenin 76/5 të Statutit të UT-së ka detyrimin ligjor të ngrejë një komision disiplinor ad hoc me qellim që bazuar në nenin 76/7 të vlerësojë masën disiplinore të largimit të menjëhershëm nga puna, në përputhje me parashikimet e Kodit të Punës. Në kushtet kur personi i akuzuar për plagjaturë është vetë Drejtuesi i Njësisë Kryesore, Senati duhet të derogojë nga aplikimi i rigoroz i procedurës së parashikuar nga neni 76/4 dhe të iniciojë procedurën menjëherë. Gjithashtu, Senati akademik duhet të vlërësojë të gjitha masat e menjëhershme në bashkëpunim me organet e tjera kompetente të UT-së për shfuqizimin e gradës shkencore “Doktor Shkencash” që i është akorduar znj. Hoxha.

Së treti, bazuar në gjetjet e parashtruara në Aneksin nr.1, KPPA duhet të vlerësojë menjëherë për shfuqizimin e titullit akademik “Profesor i asociuar” të znj. Hoxha, në përputhje me parashikimet e nenit 30 të Vendimit nr.21/2022 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik të Universitetit të Tiranës””, ose rregullores së aplikueshme në kohën kur znj. Hoxha ka marrë titullin akademik. KPPA duhet të bëjë një hetim të thelluar edhe për dokumentacionin që znj. Hoxha ka depozituar për marrjen e titullit, për të cilin kemi indicie objektive që ka plagjiaturë.

Së katërti, Rektori i UT-së dhe strukturat e tjera të UT-së kanë detyrimin ligjor që sa kohë janë  vënë në dijeni të këtij fakti i cili mund të përbëjë edhe kundërvajtje penale në kuadër të nenit 148 të Kodit Penal, sipas të cilit “botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, t’i drejtohet Prokurorisë dhe/ose organeve të tjera që i çmon të arsyeshme me qëllim vendosjen e drejtësisë.

Së pesti, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve dhe Komisioni i Zgjedhjeve në Fakultetin e Drejtësisë, me marrjen dijeni të kësaj shkrese, bazuar në Vendimin nr.5/2020, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës””, duhet të veprojë menjëherë duke vlerësuar (i) përjashtimin e kandidates për Dekane në Fakultetin e Drejtësisë zj. Hoxha; (ii) anulimin e zgjedhjeve dhe (iii) fillimin e procesit zgjedhor nga fillimi.

Së gjashti, Institucionet që do të marrin dijeni mbi këtë shkresë duhet të tregojnë vigjilencën maksimale lidhur me procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës dhe ligjshmërinë e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB