
TIRANË- Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami ka raportuar këtë të premte në Komisionin e Ligjeve në lidhje me veprimtarinë e institucionit të drejtësisë dhe sistemit gjyqësor gjatë vitit 2023. Gjatë fjalës së saj, Llagami u shpreh se po punohet me 60% më pak të gjyqtarëve se kapacitetet e duhura. Por sipas Llagamit, pavarësisht mungesave në gjykatat e vendit po punohet me ritme të shpejta. Llagami tha se me hartën e re gjyqësore sistemi ka një lloj ekuilibri ndërsa shton se probleme janë hasur vetëm në Gjykatën e Tiranës.
Llagami tha, se Gjykata e Tiranës është problematike sa i përket çështjeve civile. Ndërsa probleme shton Llagami ka dhe Gjykata e Apelit. Ajo shtoi se KLGJ ka marrë mbështetje dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, me staf plus në Gjykatat e Apelit, në mënyrë që të ketë një performancë sa më efiçente.
Naureda Llagami: Kemi vetëm 247 gjyqtarë në detyrë deri në fund të vitit 2023. Pra, po ta llogarisësh i bie më pak se 60% e kapacitetit dhe me këtë kapacitet, po ky sistem po punon me ritme shumë të forta. Në asnjë moment, sistemi nuk ka ulur ritmin e punës. Me hartën e re gjyqësore kemi një lloj të ekuilibrit dhe shpërndarjes nëpër gjykata. Nuk kemi problematika përveç Gjykatës së Tiranës, në gjykata të tjera, dosjet përfundojnë brenda afatit dhe po të shohësh norma e rendimentit është tek 90-100%. Problematike është Gjykata e Tiranës për çështje civile dhe për këtë arsye tek strategjia e kemi identifikuar dhe e kemi thënë se çfarë masash do të marrim qoftë edhe në delegim kompetencash, ka masa konkrete që ne kemi menduar. Gjykata e Apelit është problematike tani. Pa dashur të përfshij Gjykatën e Lartë sepse Gjykata e Lartë në bërjen funksionale komplet ka një udhëzues se si po e lufton backlogun. Sot ne jemi fokusuar në 2 Apele, kemi marrë mbështetje dhe nga Ambasada Amerikane me staf plus për këto 2 Apelet në mënyrë që t’i bëjmë Apelet sa më eficente.
Ndërkohë deputeti socialist, Fatmir Xhafaj kishte kritika për punën e KLGJ-së dhe e nisi ndërhyrjen e tij me evidentimin e faktit se kryetarja Naureda Llagami ishte në tejkalim të mandatit të saj, pasi procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj në dy këshillat ka tejkaluar me 6 muaj afatet ligjore. Po ashtu, Xhafaj kishte vërenjtje ndaj KLGJ-së, sa i përket menaxhImit të integruar të çështjeve, që e cilësoi mungesë aftësie dhe mungesë kordinimi me institucionet,
Fatmir Xhafaj: Prania e zonjës Llagami këtu ngre një shqetësim që lidhet me faktin se duke vlerësuar se KLGJ dhe KLP janë dy institucionet më të rëndësishme që garantojnë qeverisjen e sistemit, është një fakt që një e katërta e dy këshillave janë me mandat të përfunduar. Ju e lidhni integritetin dhe pavarësinë tuaj vetëm me financimin?
Ndërsa nënkryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, pretendoi se “harta gjyqësore është e dështuar sepse nuk ka pasur asnjë strategji”.
Dhurata Çupi: Po ju u vutë në dispozicion të ekzekutivit për të bërë hartën dhe sot jemi në një situatë të dëshpëruar./ZËRI