Aktualitet

AAPSK s'preku pasuritë që duheshin sekuestruar, justifikimet...qesharake!

Disa pasuri iu lanë në përdorim atyre që do iu sekuestroheshin, me pretendimin që të mos kishin impekte negative apo të mos shkaktonin drama sociale.

k.m.
AAPSK s'preku pasuritë që duheshin sekuestruar,
Foto ilustruese

TIRANË- Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka qenë shënjestra e radhës për auditin e Kontollit të Lartë të Shtetit. Në dokumentin me 222 faqe, ku është argumentuar çdo lëvizje e bërë nga AAPSK, bien në sy edhe disas justifikime për të mos sekuestruar prona, që duhet t'i kalonin shtetit sipas vendimeve të Gjykatave përkatëse. Më poshtë, "Zëri.ai", ka listuar disa prej tyre. Disa pasuri iu lanë në përdorim atyre që do iu sekuestroheshin, me pretendimin që të mos kishin impekte negative apo të mos shkaktonin drama sociale. Ndërsa "kulmi" kapet në Shkodër, ku një makinë nuk është sekuestruar...sepse nuk i hapnin dot derën. 

VENDIMET: 

-Me shkresën nr. 2326 prot., datë 05.08.2022, administratori përkatës i pasurive z. S.M, ka informuar kryeadministratorin në lidhje me ecurinë e financiare të shoqërisë “T. -B.” duke bashkëlidhur pasqyrat financiare të vitit 2021, vendimin e asamblesë dhe analizën e bilancit. Në informacionin e përgatitur nga administratori citohet ndër të tjera se, “subjekti “T. B.” me NIPT K...........E nuk mund të merret në administrim pasi ka rezultate negative (mungesë fitimi) dhe për pasojë mund të ketë impakt social negativ…”.

-Konkretisht, ndër të tjera, referuar proces-verbaleve citohet “pasuria truall 300 m2 nga të cilat 136,6 m² ndërtesë nuk është ekzekutuar pasi përdorej për banim nga subjekti në pamundësi tjetër…; pasuria truall 900 m² nga të cilat 300 m² ndërtesë, në emër të V.C, rezulton godinë në të cilën kryhet aktiviteti “hotel, restorant, bar-kafe” ju dorëzua administratorit të AAPSK-së…”. Nga ana tjetër, në fund të proces-verbalit të marrjes në dorëzim është shtuar nënshkrimi i vetë V.C. e cila ka deklaruar se: “Unë V.C. marr përsipër për të ruajtur pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të vendimit”.

-Me shkresën nr. 2080 prot., datë 15.07.2022, administratori përkatës i pasurive z. E.B., ka informuar kryeadministratorin në lidhje me ecurinë e ekzekutimit në lidhje me automjetin me targa A.......P duke bashkëlidhur proces-verbalin e ekzekutimit të datës 13.07.2022. Ndër të tjera, referuar proces-verbalit citohet shënimi “Mjeti nuk u arrit ti hapet dera dhe për këtë arsye u la në ambientet e DVP Shkodër…”.

-Në lidhje me pasurinë “Apartament (kontratë porosie) 73.2 m² në Golem, në emër të shtetasit B.H”, nga ana e administratorit i është raportuar gjykatës kompetente dhe prokurorit të çështjes me shkresën nr. 1623 prot., datë 20.05.2021. Proces-verbali i ekzekutimit i datës 15.04.2021, ndër të tjera në lidhje me pasurinë në fjalë, mban shënimin “…shtetësja H.H. deklaron se në dijeni të saj kjo pasuri nuk zotërohet nga ata pasi nuk kanë përfunduar kontratën e shitjes. Në lidhje me këtë pasuri do të kryhen verifikime nga ana jonë”. Pas verifikimeve të kryera (proces-verbali i datës 15.05.2021) rezulton se pasuria “apartament 73.2 m²” ndodhej në Qerret, Durrës, i pabanuar pasi rezultonte ende në ndërtim.

-Proces-verbali “mbi ekzekutimin e vendimit…” i datës 28.10.2020, ora 12:45, i mbajtur midis administratorit, OPGJ-së dhe shtetasit R.N. Në këtë procesverbal, në mënyrë të përmbledhur veç të tjerave, citohet se: “është dorëzuar vullnetarisht dhe marrë në administrim pasuria “apartament” nr. 22/98+2-8, ZK 8603,) në të cilin jetonte me qira shtetasi R.N. Ky i fundit shprehu interesin për të marrë me qira objektin dhe për këtë arsye kjo pasuri i’u la në ruajtje deri në përfundimin e procedurave…”; 4-akt-konstatimi “mbi ekzekutimin e vendimit…” i datës 28.10.2020, ora 13:00, i mbajtur midis OPGJ-së dhe shtetasve L. dhe E.K. Në këtë akt-konstatimi, në mënyrë të përmbledhur veç të tjerave, citohet se: “në pasurinë “apartament” me sipërfaqe 116.1 m² jetonte familja e L. dhe E.K, për këtë arsye dhe për të evituar pasoja sociale kjo pasuri i’u la në ruajtje…”

/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB