Aktualitet

Dumani bën bilancin: SPAK ka nën hetim një ish-ministër dhe 6 ish-kryebashkiakë

Dumani tha se paralelisht me hetimet është duke u kryer edhe verifikimi pasuror për zyrtarët që dyshohet të jenë përfshirë në vepra penale

E.K
Dumani bën bilancin: SPAK ka nën hetim një ish-ministër dhe
Altin Dumani gjate mbledhjes se Keshillit te Integrimit

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, ka qenë pjesë e mbledhjes së Këshillit të Integrimit Europian, ku ka bërë bilancin e punës së SPAK në 9 muajt e parë të vitit 2023. Sipas Dumanit SPAK ka vënë nën hetim një ish-ministër, një ish-zv/ministër dhe gjashtë ish-kryetarë bashkie. Teksa publikoi rezultatet e SPAK, Dumani evidentoi se ka një rritje prej 75% të procedimeve penale lidhur me funksionarë të Policisë së Shtetit.

“Brenda 9 muajve janë regjistruar 151 procedime penale, me 133 persona nën hetim. Nga këto në total janë 13 procedime penale me 15 persona nën hetim, ish- funksionarë të lartë publik dhe ish-funksionarë të drejtësisë. Konkretisht nën hetim u vendosën 1 ish-ministër, një ish-zv/ministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 ish-sekretarë të Përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë dhe 1 ish-prokurorë. 4 prej tyre ish-funksionarë të drejtësisë, një prej tyre i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të Vetingut. 7 procedime penale për ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale ndaj ish-funksionarëve të Policisë së Shtetit u rrit me 75% këtë vit, krahasuar me vitin e shkuar”, nënvizoi Dumani.

“Në gjykatë u dërguan me kërkesë për gjykim 24 procedime penale me 89 persona të pandehur, në të cilët:  6 procedime penale për 7 persona të pandehur të cilët ish zyrtarë të lartë, 3 procedime për katër persona të pandehur të cilët janë funksionar të Policisë. Numri i procedimeve ndaj ish zyrtarëve të lartë u rrit me 20% dhe të personave të pandehur 40% më shumë se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit para-ardhës”, tha Dumani.

Kreu i SPAK tha se paralelisht me hetimin e personave të dyshuar, po kryhet dhe vlerësimi i pasurisë së vendosur me burime kriminale dhe në këtë drejtim janë marrë katër vendime.

“Hetimi i pasurive të vëna nga vepra penale e korrupsionit po hetohen. SPAK gjatë kësaj periudhe, në këtë 9 mujor-ishte i vëmendshëm që për zyrtarët që ushtrohet ndjekja penale për veprën penale të korrupsionit krahas ngritjes së akuzës penale dhe dërgimit të çështjes në gjyq, vëmendje ka marrë identifikimi dhe sekuestrimi i vlerës së produktit të veprës penale me qëllimin final konfiskimin e pasurisë së vënë nga vepra penale e korrupsionit. 4 vendime janë dhënë në këtë drejtim për sekuestro preventive sipas kodit penal, duke shënuar një rritje 33% krahasuar me të njëjtën periudhë ë vitit para ardhës. Është dhe një vendim për ish funksionari të lartë është vendimi i parë që jepet për një ish funksionarë i lartë, i drejtësisë faktikisht”, nënvizon Dumani.

Poll

MOS HUMB