
POGRADEC- Policia e Pogradecit ka arritur të arrestojë pasditen e kësaj të diele 39-vjeçarin Spartak Çela, banues në fshatin Buzaishtë të njësisë Velçan në zonën e Mokrës. Spartak Çela ishte në kërkim prej 4 vitesh, ku në vitin 2020 ka qëlluar me kallashnikov drejt disa personave në një lokal në Velçan të Mokrës dhe tentoi të vrasë shokun e tij, Bledi Shahinin.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Korçë, një 39-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim kombëtar dhe i akuzuar për 4 vepra penale.
Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar "Sundimi i Ligjit", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “FOUR.” Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e të kërkuarit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit S. Ç., 39 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë, Pogradec.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar dy herë masën e sigurisë në mungesë "Arrest në burg," për veprat penale "Vrasja me dashje e mbetur në tentativë," "Vjedhje me armë," "Prodhim, shitje dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake," dhe "Kundërshtim i punonjësit të policisë." Në datën 20.08.2020, ky shtetas, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. Sh. Në datën 25.04.2024, shtetasi S. Ç., pasi është konfliktuar me shtetasin V. I., 54 vjeç, banues në Tiranë, nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka tentuar t'i marrë atij dy aparate celularë dhe një orë dore. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Ngjarja ka ndodhur në gusht të atij viti, ku 39-vjeçari në ambientet e lokalit qëlloi me armë zjarri automatik mikun e tij, Bledi Shahini, i cili fatmirësisht si pasojë e plumbave mbeti vetëm i plagosur. Çela doli sërish në skenë më 26 prill të vitit 2024 kur u zuri pritë dhe kërcënoi punonjësit e Task Forcës në fshatin Buzaishtë të Velçanit, të cilët ishin për verifikim në terren të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike./ZËRI