
TIRANË- Detaje të reja janë mësuar nga aksioni i SPAK dhe agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Struktura kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjatë kontrolleve në banesën e ish-deputetit Jurgis Çyrbja dhe kunatit të tij Ahmet Masha, agjentët e BKH kanë sekuestruar pajisje përgjime, para dhe dokumenta. Më konkretisht janë sekuestruar: 5 telefona, një hard disk i jashtëm Verbatim (tek i cili nuk dihet se çfarë dokumentesh ka brenda); një pajisje regjistrimi e "maskuar" si paketë; 1100 euro dhe dokumente pronësie.
"Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. Gjejmë rastin që të falenderojmë për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre me Prokurorinë e Posaçme, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal; Europol, Eurojust dhe autoritetet franceze të drejtësisë,"-bën me dije SPAK./ZËRI