
TIRANË- Media greke, Protothema, ka publikuar në variantin e saj në print, dokumentet që sipas tyre dëshmojnë se gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka, është dëbuar nga shteti fqinj, për shkak të një vize të falsifikuar. Dëbimi ka ndodhur në vitin 2002, ndërsa Gjoka është ndaluar që të hyjë për 10 vite në zonën Shengen.
Në shkrimin me titull: “Në listën e nongratave të Shengen, gjyqtarja që dënoi Belerin”, është publikuar vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Athinës ku një trupë 3-anëtarëshe, ka vendosur që të mos revokojë vendimin non grata, kundër shtetit grek. Sipas Protothemës, gjyqtarja shqiptare mbiemrin e vajzërisë e ka pasur Shpata, ndërsa në momentin e ndalimit për të hyrë në Greqi, e ka pasur Maneku, që i përkiste bashkëshortit të saj të parë.

Pikërisht me bashkëshortin e saj të parë, sipas Protothemës, gjyqtarja kishte tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio-epirote.
Pas zbulimit të këtij falsifikimi emri i saj u fut në listën e personave “non grata” të sistemit Shengen. Asaj iu ndalua hyrja për 10 vite për arsye sigurie publike dhe të dhënat e saj dhe shenjat e gishtave u depozituan në bazën përkatëse të të dhënave.
Pak muaj më vonë me 13 shkurt 2003, Irena Maneku u përpoq të futej sërish në Greqi nëpërmjet Kakavijës. Iu ndalua hyrja pasi figuronte në listën e “të padëshiruarve” të zonës Shengen dhe iu dha një shkresë përkatëse.
Menjëherë pas kësaj ajo iu drejtua Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Athinë, kundër vendimit të dëbimit. Kërkesa e saj iu dërgua, Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Janinë, e cila rrëzoi kërkesën e Manekut.

Gjoka nuk e ka deklaruar këtë dëbim të saj në formularin e dekriminalizimit, në momentin që ka aplikuar për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme.

“Duke mbajtur këtë pozicion që nuk do e merrte pa mbështetjen e qeverisë, asaj iu ngarkua gjykimi i çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dënimin e të cilit e kishte paralajmëruar Edi Rama. Ky fakt përbën edhe arsye për ta përjashtuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Pra vërtetohet se një prej gjykatësve që dënoi Belerin, varej nga qeveria, e cila sigurisht ishte në dijeni të së shkuarës së saj” – shkruan “Protothema”.