
KORÇË- Fermerët në zonën e Maliqit po protestojnë sot për shkak të mungesës së tregut për prodhimet e tyre bujqësore. Ata bllokuan segmentin e rrugës nacionale nga kryqëzimi i Drithasit deri në afërsi të fshatit Symiz në aksin Korçë - Pogradec. Sipas fermerëve, stoku i prodhimeve të pashitura edhe këtë vit ka ardhur pasi sasi të mëdha të këtyre kulturave bujqësore importohen nga vende të rajonit me çmim të të lirë se ai i tregut vendas.
Në kushte të tilla, Policia ka devijuar lëvizjen e mjeteve drejt kryeqytetit dhe anasjelltas nëpërmjet rrugës, e cila të çon drejt qytetit të Maliqit për të kaluar në aksin nacional në afërsi të fshatit Symiz dhe Libonik. Por bllokimi i një segmenti rruge në aksin nacional Korçë-Pogradec nga ana e protestuesve ka sjellë tensione mes këtyre të fundit dhe policisë.
Policia iu ka kërkuar organizatorëve të mos bllokojnë rrugën nacionale pasi nuk kanë leje për të bërë një gjë të tillë, por për të protestuar paqësisht, pa bllokuar segmentin rrugor. Nga ana tjetër, fermerët nuk kanë pranuar lirimin e rrugës, ku dhe ka pasur konfrontime fizike mes palëve.
“Për 10 ditë do bllokojmë rrugën, Policia është e njoftuar. Nuk ka nevojë të marrim më leje,”- deklaroi njëra nga protestueset.
Ndërsa, si pasojë e bllokimit të rrugës një nga fermerët është gjobitur nga policia. Bëhet fjalë për shtetasin Petraq Dimko, i cili është gjobitur në shumën 10,000 lekë të reja.
Kujtojmë se fermerët janë ngritur në protestë për shkak të mungesës së tregut. Atyre u ka mbetur stok i gjithë prodhimi i qepës, patates, misrit dhe grurit.