Aktualitet

Arbjan Mazniku 3 orë në SPAK, jep llogari për dosjen 5D, tenderat që firmosi kur ishte nënkryetar i Bashkisë Tiranë

Pas vitit 2017, të gjithë tenderat e dhënë nga Bashkia Tiranë mbajnë firmën e Arbjan Maznikut

E.K
Arbjan Mazniku 3 orë në SPAK, jep llogari për dosjen 5D, tenderat
Arbjan Mazniku

TIRANË- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku është marrë sot në pyetje për rreth 3 orë në Prokurorinë e Posaçme. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Mazniku është marrë në pyetje për dosjen 5-D. Në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë, të gjithë tenderat e firmosur pas vitit 2017, mbajnë pikërisht emrin e Maznikut, përfshirë dhe ato që janë dhënë për ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, disa prej të cilëve të arrestuar me urdhër të SPAK. 

Në dalje të prokurorisë së posaçme, vetë Mazniku nuk preferoi që të jepte detaje, por tha se u pyet si një person që kishte dijeni për një çështje. “Për çështjen thashë informacionin që kisha dhe provat. Faleminderit!”, tha shkurtimisht Mazniku.

Më herët nga Prokuroria e Posaçme dha një deklaratë edhe Belind Këlliçi, i cili tha se marrja në pyetje e Maznikut, bëhet me qëllim heqjen e vëmendjes nga Erion Veliaj.

Këlliçi prezantoi një aktmarrëveshje, për të cilën tha se ishte baza për prishjen e 18 pallateve në kryeqytet, nën justifikimin se ishin të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, në interes të kompanisë 5D.

Këlliçi e ngjiti këtë akt-marrëveshje për të cilën tha se është autentike, në dyert e SPAK, duke u shprehur se po ua vënë dispozicion prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

“Jam këtu për ti ardhur në ndihmë kolegëve të Veliajt. Po ju paraqes një aktmarrëveshjeje të firmosur me qëllim prishjen e 18 pallateve në Tiranë me justifikim dëmtimin nga tërmeti. Ndërkohë që Mazniku hante 1 mijë euro biftek në Dubai, keni parë protestat e qindra familjeve që nxirreshin nga banesat e tyre. Kjo marrëveshje ishte baza për lënien pa shtëpi të banorëve dhe hapjen rrugë të ndërtimit të pallateve nga kompania e Veliaj dhe Maznikut”, tha Këlliçi.

Arbjan Mazniku, që prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Ai ka ushtruar funksionin e Nënkryetarit të Bashkisë Tiranë nga viti 2015 – 2023. Më herët, Mazniku ka mbajtur detyrën e Zv. Ministrit të Arsimit dhe Sportit, nga viti 2013 deri në vitin 2015./ZËRI

Poll

MOS HUMB