
TIRANË- 13 vite nga ’21 Janari’, ku gjatë protestës së organizuar nga socialistët asokohe në opozitë, u vranë 4 qytetarë, çështja do të hetohet sërish, këtë herë nga Prokuroria e Posaçme. Ishte Gjykata e Lartë që urdhëroi SPAK që të niste hetimet për 21 Janarin, me kërkesë të familjarëve të një prej viktimave, Aleks Nikës. Në këtë mënyrë, vetëm 5 ditë pas regjistrimit të çështjes nga ana e SPAK, prokurorët kanë thirrur për të dhënë dëshminë e tyre këtë të hënë, bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës.
Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika e cila ka bërë edhe kallëzimin në SPAK si dhe xhaxhai i të ndjerit, Mark Nika, janë paraqitur paraditen e sotme në SPAK. Familjarët pretendojnë se kanë një audio nga dita e tragjedisë, ku urdhërohet në radio vrasja e protestuesve. Këtë provë familjarët kanë deklaruar se do ta dorëzonin vetëm në SPAK, pasi nuk kishin besim te institucionet e tjera të drejtësisë.
Rajmonda Nika pasi qëndroi disa orë në SPAK, në një deklaratë për mediat, tha se “ka dhënë fakte të reja”, por që “nuk mund t’i bëjë publike ende.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme, dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi.
SPAK ka njoftuar se ka rihapur hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për ngjarjet e 21 janarit. Gjykata e Lartë e ka orientuar hetimin, do të hetohet roli i ish-ministrit të Brendshëm, pra keni qenë ju në detyrë atë ditë.
Lulzim Basha: Të hetojë gjithçka, plotësisht, në mënyrë të paanëshme dhe profesioanle, ky ka qenë mesazhi në 13 vite. Kam qenë dhe jam në dispozicion të çdo akti të drejtësisë.
A ka urdhëruar ministri i Brendshëm Gardën që të qëllojë ndaj protestuesëve dhe a keni lidhje me fshehjen e serverave?
Basha: Jo dhe jo!
Në rast se shpreheni i pafajshëm, cili është roli i ish-kryeministrit?
Basha: Kjo është një konferencë për shtyp, nuk është as SPAK dhe as GJKKO. T'i lëmë të bëjnë punën e tyre.
Meqë nuk shpreheni për rolin e Sali Berishës, kur vjen puna për akte ndaj Sali Berishës, duket sikur druheni? A po bashkëpunon në mënyrë të fshehtë Lulzim Basha me Sali Berishën?
Basha: Në asnjë moment jo, këto janë marrëzira pa një pikë të vërtetë brenda që humbasin e publikut dhe keqinformojnë debatin publik. Ndarja ime me Sali Berishën është me 9 shtator 2021, finale e pakthyeshme.
Vetë Berisha nga ana e tij, ka zgjedhur që të mos bëjë asnjë koment publik për rihapjen e dosjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë në mesin e personave që do të thirren për t’u marrë në pyetje nga ana e SPAK. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Procedimi i SPAK është regjistruar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale. /ZËRI