
TIRANË- Një grupim qytetarësh janë duke protestuar përpara SPAK, ku kërkojnë që prokurorët të arrestojnë kokat e aferës së inceneratorëve.
Qytetarët dhe aktivistët që kanë qenë të pranishëm sot përpara prokurorisë së posaçme, iu përkasin disa kauzave të ndryshme që kanë shqetësuar kryeqytetin, duke nisur nga Teatri Kombëtar, 5 Maji apo banorët e kombinatit, të cilëve iu janë prishur banesat.
Nënë Liza, e cila ka protestuar vazhdimisht kundër prishjes së banesave në zonën e 5 Majit, tha se është në rrugë të madhe, sot e kësaj dite. Duke iu referuar aferës së inceneratorëve, ajo tha se nuk mund të bëhej pa firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
“Të vijë Veliaj te 5 Maj, të shoh se si është rruga, po kalojmë nëpër baltë. Dua shtëpinë, jam 80 vjeçe. Nuk kam ku mbledh fëmijët e mi jam 14 vetë. Veliaj dhe Rama të bëjnë vitin e ri. Deputetët marrin nga 5 milionë, unë 100 mijë lekë. SPAK të nisë nga kryet. Pa firmën e Ramës dhe Veliajt, nuk bëhej kjo gjë. Për popullin nuk flet kush. Bëhen 2 vite që në janar, që jam jashtë shtëpie. I bëj thirrje Amerikës shteteve të huaja që të na përkrahin. Kur vinë të huajt shtrojnë tapetin e kuq, por për shqiptarët kanë shtruar tapetin e zi”, tha nënë Liza.
Në ambientet e GJKKO është duke u mbajtur sot seanca ku do të njihen me masat e sigurisë 15 personat e përfshirë në dosjen e SPAK për aferën e inceneratorëve.
/ZËRI