
LIBRAZHD- 4 aksidente kanë ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, fatmirësisht pa viktima.
Në aksidente janë përfshirë vetura e kamionë, ndërsa në rrugë është krijuar një trafik tepër i rënduar, pasi në disa prej aksidenteve rruga është bllokuar nga mjetet e aksidentuara.
Në njërin prej aksidenteve kanë mbetur të plagosur 6 persona, ndërkohë që 3 aksidentetet e tjera kanë qenë vetëm me dëme materiale.
Burime bëjnë me dije për Zërin se automjeti me drejtues shtetasin A. S. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. P.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 3 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. S. dhe 3 të tjerë në automjetin me drejtues shtetasin Gj. P., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Njëri prej të plagosurve është transportuar për në repartin e kirurgjisë së Spitalit të Elbasanit për shkak të frakturave të shumta që i janë shkaktuar nga aksidenti.
Njëri nga automjetet dyshohet se ka humbur drejtimin e lëvizjes, është përplasur me një tjetër dhe ka dalë jashtë rruge duke u përplasur me bordurën anësore.
Shkak paraprakisht dyshohet të jetë bërë prezenca e madhe e akullit në rrugë si pasojë e kushteve atmosferike dhe temperaturave të ulta të ditëve të fundit.
/ZËRI