
LEZHË- Një grup aktivistësh të rinj kanë protestuar sërish në Lezhë kundër marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Siç duket edhe nga pamjet, një prej aktivisteve pati dhe një debat me efektivët e Policisë së Lezhës, që ishin kundër ngritjes së një çadre.
"Ju ndiqni ligjin apo jo zotëri? Prandaj është ligji i shkruar. Nuk merret leje për tubim. Është liria e tubimit, nuk kërkohet leje, por vetëm njoftohet. Liria ime është të vendos këtë çadër. Sheshi është shesh publik. Çadra është pjesë e tubimit,"- shprehet një nga aktivistet teksa sqarohet me efektivët e Policisë së Shtetit.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë./Zëri.ai