
TIRANË- Pronat e biznesmenit Pëllumb Gjoka do të vijojnë që të qëndrojnë nën masën e sekuestros. Ky është vendimi që ka dhënë Gjykata e Lartë, duke refuzuar kështu rekursin e Gjokës, i cili ndodhet pas hekurave nën akuza të rënda, përfshirë dhe atë për porositjen e vrasjes së Kleant Musabelliut.
Biznesmenit i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të SPAK, pasi prokuroria ka dyshime se ato janë përfituar përmes falsifikimit. SPAK nuk ka përfshirë nën masën e sekuestros prona të tjera që janë në emër të biznesmenit dhe familjarëve të tij.
Pëllumb Gjoka njihet si pronar i një sërë pronave e objekteve me funksion shërbime, hoteleri apo lojëra fati. Toka u sekuestrua pasi dyshohet se janë falsifikuar dokumente për t'i përvetësuar.
Pëllumb Gjoka akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që akuzohen për një sërë veprash penale duke nisur nga “Vrasja me paramendim”, “Shpërdorimi i detyrës” deri tek “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Krijim kushte për vrasje” etj. Gjykata e Lartë nuk pranoi as rekursin nga arratia te Prekë Kodrës për ndryshim mase sigurie, i akuzuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal por që ende nuk është arrestuar dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar./ZËRI