
KUKËS- Një 40-vjeçar nga Kosova, i identifikuar me inicialet B.S është vënë këtë të premte në prangat e Policisë së Kukësit pasi tentoi të kalonte në Pikën Kufitare të Morinës me 20 mijë euro të padeklaruara. Ai u kap në vijën e dytë të kontrollit pas një kontrolli të imtësishëm. Paratë ishin fshehur brenda automjetit tip “Benz”.
NJOFTIMI I POLICISË:
PKK Morinë. Tentoi të fuste në Shqipëri, pa deklaruar, rreth 20 000 euro, procedohet penalisht 40-vjeçari nga Kosova. Sekuestrohet shuma monetare. Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip "Benz", me drejtues shtetasin B. S. Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 20 000 euro që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar B. S., 40 vjeç, banues në Mitrovicë, për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë". Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme./ZËRI