
TIRANË- Prokuroria e Korçës ka dalë në përfundimin se në kamerat e sigurisë që kanë filmuar vrasjen e Egli Progës në Pogradec ka pasur ndërhyrje. Më konkretisht, janë fshirë pamje që mund të akuzonin drejtpërdrejt personat që sot ndodhen pas hekurave, me në krye Denis Meçen që është edhe autori i krimit të rëndë. Megjithatë, aktualisht po punohet për të rikthyer pamjet që do të ndihmojnë autoritetet për të zbardhur rolet e të pranishmëve në momentin e vrasjes.
Sot, janë rikthyer pas hekurave dëshmitarët që akuzohen për moskallëzim krimi dhe se kanë penguar zbardhjen e ngjarjes. Gjykata e Korçës ka ndryshuar masën detyrim paraqitje në arrest me burg për Voltan Shulkun, Arian Manellarin, Leonidha Guçem, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje ku u vra Egli Proga mbrëmjen e 10 gushtit në Pogradec.
Vrasja ndodhi më 10 gusht të këtij viti. Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga.
Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete.
Pas deklaratave të motrës së Egli Progës, Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe proçedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari. Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.