
KORÇË- Gjykata e Korçës ka ndryshuar masën detyrim paraqitje në arrest me burg për Voltan Shulkun, Arian Manellarin, Leonidha Guçem, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje ku u vra Egli Proga mbrëmjen e 10 gushtit në Pogradec.
Tre dëshmitarët akuzohen për moskallëzim krimi dhe se kanë penguar zbardhjen e ngjarjes.
“Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”, për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 1 Pogradec, ku humbu jetën shtetasi Egli Proga, 42 vjeç. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës”, njofton policia.
Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje dhe proçedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari. Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës. Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga.
Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, por sot kjo masë ndryshoi për dëshmitarët. /ZËRI