
PRISHTINË- Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj disa personave për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrim parash”. Bëhet me dije se hetimet kanë nisur disa vite më parë dhe aktakuzat janë dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special. Mësohet se në mesin e të akuzuarve janë emra, të cilët janë të lidhur me Spitalin Amerikan në Tiranë dhe Prishtinë, dhe biznesmeni Ekrem Lluka. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, hetimet janë kryer për veprat penale flasifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa vjeçare, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër personave fizik: E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L dhe personave juridik: “M…”, “AHK” dhe “QKK”.
Për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 par.3 i KPRK-së dhe veprën penale “Shpërlarje e parave” e përcaktuar me nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së – nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës. /ZËRI