Aktualitet

Parashikuesja Anja që mbledh paratë me korrierë: Ç'hyn licensa tek puna ime? Ç'të duhet NIPT-i ty, do zbërthesh kompjuterat?!

Kjo grua madje pranon se QKR është diçka e kotë dhe se për të mjafton që të ketë një llogari në Google dhe të përditësojë profilet e saj në rrjetet sociale.

Zëri
Parashikuesja Anja që mbledh paratë me korrierë:
Anja

TIRANË- Një tjetër fallxhore, Anja pranon se është rezidente në tre shtete, Zvicër, Kosovë e Shqipëri dhe se ka korrier për grumbullimin e parave.

Anja: Faktikisht, unë punoj në Zvicër, kam një qendër spirituale. Jam në Zvicër, Tiranë, Prishtinë, në tre vende të botës.

Ema: Unë paratë do të t’i dërgoj në Zvicër?

Anja: Kushton 100 euro. Kam korrierë për atë pjesë pune. Të jap adresën, bëj pagesën, ma sill pagesën këtu në Instagram, unë vetëm sa e konfirmoj, nuk e tërheq. Të shikoj gjërat që ke ti. Zemër zgjidhjen unë ta jap, ta kesh të fjetur mendjen.

Por, Anja e humb toruan në momentin që pyetet nëse ka një licensë veprimtarie apo NIPT.

Anja: Ç’të duhet ty përshembull pjesa e NIPT-it, ke NIPT apo jo.

Ema: Po të hysh tek QKB-ja, del kur e shkruan ‘astrologe Anja’ dhe ngaqe unë kërkoj sepse ti e di që janë bërë shumë veta dhe nuk dua të digjem ose thjesht të vete tek njeriu i gabuar.

Anja: Mua, ta kesh në mendje ti dhe kushdo tjetër, mua nuk më tall dot njeri, e dashur.

Ema: Kam parë që shumica shkruajnë të licensuar dhe prandaj të pyeta.

Anja: Më fal, po nuk hyn në punë licensa tek pjesa ime. Flasim për licensën, ka njerëz që janë profesorë dhe nuk kanë licensën për tatimet e shtetit, sepse shteti të merr shumë lekë. Tashi unë të ta bëj 300 euro ty shikimin? Se do mi marrë shteti gjysmat mua. Ka njerëz që kanë vetëm një certifikatë dhe janë të aftë, ka dhe njerëz që marrin 100 certifikata dhe nuk janë të aftë fare, i kanë blerë, i kanë me mashtrime, kanë paguar ndonjë lekë të vogël dhe i kanë marrë ose i kanë fotokopjuar. QKR që kërkove ti, njerëzit më tepër po e heqin sepse shteti ka shumë tatim dhe atij nuk i leverdis që të bëjë një operacion tek një klient ose të bëjë një vizitë tek klienti sepse vizita është 300 mijë lekë. Kurse kështu, kur s’ka tatim shteti, e bën 35-40. Çfarë do t’i marrë njeriut mi zemër, atë frymë që ka ngel.

Kjo grua madje pranon se QKR është diçka e kotë dhe se për të mjafton që të ketë një llogari në Google dhe të përditësojë profilet e saj në rrjetet sociale.

Anja: Nuk kërkohet QKR-ja se kjo është gjë e kotë. Unë jam regjistruar dhe në Google dhe kudo dhe i kam të gjitha performancat. Jo, moj po ti nuk e gjen dot, është tek pjesa e sigurimeve, tek Bashkia, kështu që ku të shkosh ti, do zbërthesh kompjjuterash, s’e kuptoj? Po bën ca pyetje koti, të pavlera, sikur po bën hetim mbi mua, hetime koti. Mos më lodh…

Por, pavarësisht mungesës së profesionalizmit dhe shkeljeve të ligjit, ajo pranon se ushtron edhe hipnozën tek klientët e saj. Edhe pse pa asnjë specializim mjekësor, kjo zonjë tregon se aplikon hipnozën, për të shëruar njerëzit me fuqitë e saj.

Anja: Tani, unë hipnozën me licensë, unë mund ta bëj 500 euro, kurse pa licensë, unë e bëj 150 euro. Kursen miliona lekë, muaj për muaj.  Unë jam drejt e në Google, nëqoftëse personi skanohet në Google, është i performuar komplet si person. Unë në Google paguaj 500 euro, 500 tek faqja ëeb, vit për vit.  Kështu që unë licensën edhe e bëj, edhe s’e bëj, nuk e kam problem për t’ja dhënë shtetit. Dhe unë atëherë, do ua marr njerëzve. Çfarë do bëj…

Anja, duke e paraqitur paligjshmërinë si në të mirën e klienteve të saj, vijon të këmbëngulë në efektivitetin e çdo rituali të saj, të bazuar në diploma të marra nga universitete që në fakt nuk ekizstojnë.

Anja: Zemër zgjidhjen unë ta jap, ta kesh të fjetur mendjen. Unë kam pjesën time të diplomimit… Parashikimi vjen sipas problematikave të personit, mjafton të bindesh te fjala që unë të tregoj, çfarë do kesh në vazhdimësi.

Fallxhoret në Shqipëri gjenden kudo, por kryesisht në zona ku mund të aksesojnë vajza të reja, të shtresës së mesme të shoqërisë apo ato vulnerabël që në këmbim të tarifave prej 500-1000 lekë të reja, mund të heqin dorë për një moment nga ngarkesa e problemeve të përditshme dhe t’i dhurojnë vetes një dozë gënjeshtrash.

Psikologia Jonida Haxhiu: Në shumë raste ky konsiderohet si një kujdes për veten, si një mënyrë për të zgjidhur problemin, si një mënyrë për të dalë nga situata në të cilën ndodhen dhe duke qenë kështu, ata futen edhe në borxhe apo në vështirësi financiare, si e si të arrijnë të shkojnë tek persona të tillë, si e si të arrijnë të ndjekin këshillat apo të ndjekin gjithçka, atë planin që u ka përcaktuar ky personi, ky parashikuesi apo ky ndikuesi i fatit.

Kryesisht pranë fakulteteve të ndryshme në Tiranë, ka gra të ndryshme që ndalojnë vajza të reja, të cilave pretendojnë se u shohin fatin.

Por jo gjithmonë, situata është rozë dhe pasoja e vetme është një dozë gënjeshtrash të bardha, ku gruaja në rrugë të ‘sheh’ një të ardhshme të shndritshme, që në fakt përshkruhet nga psikologë si simptomë e problemeve psikologjike që janë të pranishme, por që vështirë se pranohen...

Psikologia Jonida Haxhiu: Një individ që ka problem në marrëdhënie, një individ që nuk ka besim në vetvete, nuk ka forcën për të bërë me jetën e vet atë që mendon që është e nevojshme, atëherë gjen këtë forcë, nuk e gjen tek psikologu që në njëfarë mënyre do punojë me vetë individin, por e gjen tek fallxhori. Fallxhori nuk punon me individin, por punon me rrethanat, pretendon që do të ndryshojë rrethanat, pretendon që do të ndryshojë energjitë, pretendon që do të ndryshojë të ardhmen dhe që nga ky moment, e lë personin të përjashtuar. Personi që ka problemin nuk është aspak i përfshirë, është thjesht duke pritur që këto rrethanat që ka ndryshuar fallxhori, këto rrethanat në të cilat ka ndikuar fallxhorja të ndryshojnë dhe ai të arrijë lumturinë, të arrijë qetësinë apo marrëdhënien që dëshiron. Që është e pamundur, kështu që në fund të fundit, tregon praninë e problemeve psikologjike.

Poll

MOS HUMB