Aktualitet

Prokuroria Speciale arreston dy shqiptarë në Kosovë

D.XH
Prokuroria Speciale arreston dy shqiptarë në Kosovë
Prokuroria Speciale në Kosovë

PRISHTINË – Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë, ZPS, ka konfirmuar se ka arrestuar në Kosovë, dy shqiptarët Ismet Bahtijarin dhe Sabit Jonuzin. Ata akuzohen për “krime kundër administrimit të drejtësisë”.

Pas arrestimit në Kosovë, Bahtijari dhe Jonuzi janë transferuar në Objetin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe pritet që menjëherë të dalin para Gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës argumenton se Bahtijari dhe Jonuzaj janë arrestuar, për shkak se janë përpjekur që të bindin një dëshmitar, që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se Bahtjari dhe Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatën për mediat të ZPS-së.

Më tej, thuhet se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka dhënë mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me atë që përmban mandati i saj dhe legjislacioni i Kosovës.

“Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në. Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur. Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, thuhet më tej në deklaratë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB