
TEPELENË – Banorët e fshatit Mezhgoran në Tepelenë janë ngritur në protestë, në një përpjekje për të penguar fillimin e punimeve, për një ujësjellës të ri, që do të furnizojë me ujë fshatin e tyre, Peshtanin dhe një resort turistik, që pritet të ngrihet në anën tjetër të Vjosës.
Sipas banorëve, projekti do të cënojë burimet ujore të fshatit dhe do të vihej në funksion të një biznesi privat. Fshati me afërsisht 300 banorë dhe i vendosur në një kodër, jeton kryesisht me blegtori.
Banorët kanë ndërtuar një rrjet tubacionesh për të furnizuar me ujë banesat. Ata njëkohësisht e përdorin ujin e burimeve për ujitjen e tokës dhe plotësimin e nevojave për rreth 2 500 krerë bagëti të imëta dhe 700 gjedhë.
Dje ata kanë bllokuar urën nacionale, pranë urës së Peshtanit dhe janë konfrontuar edhe me policinë. Sot ka ndërhyrë edhe policia, që të garantohet nisja e punimeve.
“Po na marrin ujin e neve nuk po na pyesin. Duan që fshatin tonë ta zhvendosin. Ne si banorë kemi kërkuar të na bëjnë rrugën, jo ujësjellësin. Fshati e kontrollon vetë ujin me investime private. Burimi i ujit nuk ka ujë as për ne si banorë dhe jo të furnizojë resorte”, ka thënë një banor.
Një tjetër banor shprehet se nuk mund të jetojnë as ata si njerëz dhe as bagëtitë, pa pasur ujë. “Fshati jeton me blegtori. Ku do pijnë bagëtitë? Kemi 2500 dele e dhi, por edhe lopë. Si e kanë menduar, se do jetojmë pa ujë? Askush nga banorët nuk është dakord. Burimi thahet krejtësisht verës e nuk përmbush as nevojat tona. Nuk do ta lejojmë të na marrin ujin”, deklaroi banori.
Një banore shprehet se nuk mund të jetojnë dot pa ujë. Ajo tha se banorët nuk kanë parë me sytë e tyre asnjë projekt dhe nuk iu është marrë asnjë mendim.
Bashkia e Tepelenës bën me dije se projekti i Ujësjellësit nuk cënon burimet ujore të zonës, por se garanton menaxhim më të mirë të ujërave të pijshëm në fshat. Bashkia thekson se me prjektin që do të vihet në funksion, garantohen kushtet higjeniko-sanitare të ujit të pijshëm dhe siguria.
Projekti i miratuar në korrik 2020 parashikon marrjen prej burimit të Mezhgoranit të sasisë prej 1,94 l/sek prej të cilës 1.02 l/sek do të shkojnë për fshatin Mezhgoran, 0,69 l/sek do të shkojnë për fshatin Peshtan dhe 0,23 l/sek për resortin turistik.
Në fazën e parë të ndërhyrjes përfshihet kaptazhi i burimit të Mezhgoranit dhe ndërtimi i linjës së dërgimit për në fshatin Peshtan. Në fazën e dytë projekti parashikon ndërtimin e dy depove me kapacitet 50m3, njëra prej të cilave do të furnizojë edhe resortin, si dhe vendosjen e matësave të ujit.
Por, banorët janë shprehur kundër projektit dhe janë shprehur se janë duke përgatitur betejë ligjore kundër ujësjellësit të ri./Zëri.ai/