
SHBA- Një pjesë e mirë e prokurorëve të SPAK kanë nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të kenë takime dhe me DEA dhe FBI. Në mesin e prokurorëve që janë pjesë e kësaj vizite të rëndësishme në SHBA, janë dhe ata që hetuan ish-kryeministrin Sali Berisha, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. Detajet për takimet e tyre i ka dhënë ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, duke transmetuar kështu dhe një mesazh mbështetje në drejtim të Prokurorisë së Posaccme, teksa ditët e fundit ka pasur akuza të shumta në drejtim të tyre, pas hetimeve për rastin e Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.
Reagimi i Ambasadës amerikane: Zyrtarë të lartë të SPAK-ut po marrin pjesë në një vizitë studimore në Uashington, DC këtë javë. Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP).
Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës. Vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).
Ambasada amerikane në Tiranë, ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Reformës në Drejtësi, ndërkohë që prokurorët e SPAK janë nxitur vazhdimisht që të hetojnë korrupsionin e zyrtarëve të niveleve të larta, njësoj siç është rasti i fundit i ish-kryeministrit Sali Berisha, apo më herët ministrave të qeverisë Rama dhe kryebashkiakëve. /Zëri.ai