
TIRANË- Është zhvilluar me debate mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave teksa po diskutohej projekligji i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kalimin e “Albcontrol” në një ent publik nga një shoqëri tregtare që ka vepruar më herët. E pranishme në Komison ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muça. Kjo e fundit deklaroi se janë marrë të gjitha masat për ti dhënë garanci ligjore mbarëvajtjes së këtij etniteti, ndërsa shtoi se do të ketë aktivitet të pavarur, jo fitrimprurës dhe jo buxhetor.
Enkelejda Muça: Kemi kënaqësinë të paraqesim para jush projekligjin për ofruesin e lundrimit ajror “Albcontrol”, i cili ka për synim pikërisht, organizimin e “Albcontrol’’ si një ent publik, i pavarur, jo buxhetor, jo fitimprurës, i cili vepron në interes publik dhe ofron shërbimin sipas konvektave. Nëpërmjet këtij ligji janë marrë të gjitha masat në organizimin e këtij etnitetit duke i dhënë garancitë më të mëdha ligjore në vazhdimin e mbarvajtjes së tij.
Ndërkohë nga ana tjetër, deputeti demokrat Edmond Spaho u shpreh se statusi i shoqërisë po ndryshon vetëm për shkak të gjyqit të Shqipërisë me Francesco Becchettin.
Edmond Spaho: Ligji është bërë për shkak të gjyqit të Becchettit dhe për shkak se Albcontrol-it i janë sekuestruar fondet në llogaritë që ka në Vjenë. Dëshira e kryeministrit për të kontrolluar mediat na ka çuar në një Arbitrazh ndërkombëtar ku Shqipëria humbi dhe për të paguar gjobën janë bllokuar fondet e jashtme.
Në diskutime u përfshi dhe deputeti Erion Braçe.
Erion Braçe: Do doja të dija e njihni këtë shtetasin Francesco Becchetti, çfarë statusi juridik ka me Shqipërinë? Është i dënuar? Është shpallur në kërkim? Pyetje e dytë që kam, ky zotëria ka gjyqe me Shqipërinë dhe për gjyqet që ka me Shqipërinë, ka fituar ka humbur, çfarë ka fituar? Çfarë ka humbur? Interesin e kujt po mbroni?
Edmond Spaho: Të shtetit shqiptar.
Në fund, Muça, duke iu përgjigjur deputetit Spaho, tha e ligji i ri nuk është aspak rezultat i kapriçove, por vetëm për shkak të statusit të shoqërisë dhe rëndësisë që ka tashmë lundrimi ajror në Shqipëri.
Enkelejda Muça: Rikthesojnë se me këtë projektligj nuk po sjellim një risi, që ka qenë dhe mbetet një shoqëri që ndjek një objekiv që ka të bëjë me shërbimin publik dhe e ka të parashikuar në statutin e vet se nuk ka qëllim fitimprurës. Vetë ‘’Albcontrol’’ nuk ka asnjë konflikt të lindur me çfarëdolloj shtetasi të Republikës së Shqipërisë apo ndërkombëtarë./ZËRI